Vizita e parë në 20 vite e një presidenti polak, Andrzej Duda ‘zbarkon’ në Shqipëri më 10 dhe 11 maj

Presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda do të vizitojë Shqipërinë më 10 dhe 11 maj. Kjo është vizita e parë e një presidenti polak në 20 vitet e fundit që vjen në Shqipëri.
“Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, më 10-11 maj 2023, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Polonisë, Sh.T.Z. Andrzej Duda, i cili do të shoqërohet në këtë vizitë edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.
Kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një Presidenti polak në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti i Polonisë Duda pritet të mbërrijë në Shqipëri, më 10 maj, ndërsa më 11 maj në orën 11:00 ai do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti Bajram Begaj, në Presidencë.
Të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacioniet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar.
“Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.
Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësisht polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).
Gjatë qëndrimit në Shqipëri Presidenti Dudaj do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës”, shkruhet më tej në njoftimin e Presidencës.
/rtsh.al/