E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Abu Dabi dhe në Athinë, Rama: Forcojmë marrëdhëniet strategjike

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në nisje të podkastit “Flasim”, ndau një përmbledhje të zhvillimeve më të spikatura të javës, duke u ndalur tek vizita e tij në Abu Dabi dhe në Forumin Ekonomik të Delfit në Athinë, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve strategjike.

Dy ndalesa që, sipas tij, lidhen me dy aspekte të marrëdhënies dhe të pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Kryeministri nënvizoi se vizita në Abu Dabi ishte një vizitë solidariteti për të konfirmuar vëllazërinë që na lidh me atë vend dhe nga ana tjetër edhe besimin se Emiratet do ta kalojnë këtë fazë dhe do të dalin më të forta nga kjo sfidë e madhe.

“Në Abu Dabi shkova për të takuar një mik shumë të çmuar dhe të sprovuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe një lider nga më të respektuarit sot botërisht që kam nderin ta konsideroj edhe mikun tim, presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, në një moment shumë të ndjeshëm për vendin e tij dhe për atë rajon të përfshirë në një konflikt si rezultat i sulmit ndaj regjimit kriminal të Teheranit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se presidenti i Emirateve të Bashkuara është një mik i vyer dhe i sprovuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

“Qysh në rininë e tij ai ka ardhur në Shqipëri jo për turizëm dhe as për një takim formal, por për të udhëhequr grupin e dërguar nga i ati, i ndjeri Sheikh Zayed në ndihmë të atyre shqiptarëve që braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë dhe u dyndën në Shqipëri e qëndruan në një masë të madhe në Kukës, për të ikur nga makineria vrastare e Slobodan Milosheviçit. Dhe qysh atëherë më pas me atë vend, me atë popull dhe me atë njeri të madh është ndërtuar një marrëdhënie që në 10 vitet e fundit ka marrë një përmasë krejt tjetër”, theksoi Rama.

Rama kujtoi se ishte pikërisht Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheiku Mohammed bin Zayed, i cili urdhëroi disbursimin e fondit më të madh të solidaritetit me Shqipërinë pas tërmetit dhe me atë fond është ndërtuar një lagje e tërë model në Durrës.

Nga ana tjetër, Rama vlerësoi se me Emiratet e Bashkuara na lidhin edhe punë dhe projekte të karakterit strategjik, por edhe të një natyre që kanë të bëjnë me rritjen dhe forcimin e Shqipërisë në rrugën e modernizimit të saj.

“Më vjen shumë mirë të konfirmoj se nga ana e Presidentit dhe nga ana e udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara edhe një herë tjetër mora një energji jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë dhe konfirmimin se miqësia jonë bëhet më e fortë dhe se aleanca jonë do të fuqizohet hap pas hapi me më shumë bashkëpunim, më shumë projekte dhe me më shumë afrimitet mes shteteve dhe popujve tanë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, lidhur me vizitën në Athinë, Rama theksoi se Shqipëria kishte një vend të posaçëm në platformën e Forumit Ekonomik të Delfit.

“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por përsëri i lidhur me sa thashë në krye të herës, me pozicionin e Shqipërisë dhe me dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me një reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe të historisë Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe në këtë rast edhe të marrëdhënies me vendin fqinj”, theksoli Kryeministri.

Rama informoi edhe mbi takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bënë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që është ngritur për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë si gjithmonë, me përjashtim të ndonjë momenti të vështirë, në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh shumë optimist dhe besimplotë se falë edhe angazhimit personal të kryeministrit Mitsotakis do të adresohen çështjet e mbartura dhe do të forcohet edhe më shumë marrëdhënia mes dy vendeve përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri, qoftë për shqiptarët në Greqi.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›