Po ndërtonte pa leje në zonën e Jonufrës në Vlorë, arrestohet 47-vjeçari

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Një 47-vjeçar u arrestua nga policia e Vlorës pasi po ndërtonte pa leje në vendin e quajtur Gjiri i Kaltër.
Policia njoftoi se vuri në pranga shtetasin “B. M., 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në vendin e quajtur “Gjiri i Kaltër”, duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse nga organet kompetente”.
Sipas policisë, nga verifikimet në terren, rezultoi se ky shtetas kishte ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në vijën bregdetare, e parashikuar për projektin “Lungomare 3”, duke kryer punime mbi një mol ekzistues dhe duke e shtuar atë në mënyrë të paligjshme.
Policia e Vlorës njoftoi se vijon kontrollet intensive në të gjithë territorin, me fokus zonat bregdetare, për të parandaluar dhe goditur çdo rast të ndërtimeve të paligjshme, si dhe për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e pronës publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
/m.q/j.p/