Vizita në Bruksel/ Rama takohet me Josep Borell dhe Ursula Von der Leyen

Kryeministri Edi Rama është pritur këtë të martë (27 qershor) në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ndërsa është takuar edhe me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Kjo e fundit ka bërë me dije se gjatë takimit me Kryeministrin Rama kanë diskutuar në lidhje me progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe planin e ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor.
“Takim shumë i mirë me Edi Ramën. Ne diskutuam progresin në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe planin tonë të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të afrojë rajonin dhe BE-në dhe do të nxisë prosperitetin e partnerëve tanë”, shkruan Von der Leyen në Twitter.
Në lidhje me këtë takim, Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se me Presidenten e KE-së diskutuan për planin e ri të mbështetjes financiare dhe rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor, dhe zhvillimet mes Kosovës e Serbisë, ku sikurse theksoi ai “një spirale absurde ngjarjesh e vendimesh të gabuara po kërcënon paqen, stabilitetin dhe rrugën europiane të krejt rajonit tonë”.
“Me Ursula von der Leyen, Presidenten e Komisionit Europian, folëm gjerë e gjatë për planin e ri të mbështetjes financiare dhe rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor, për të cilin Shqipëria ka luajtur një rol aktiv qysh në krye të herës, si edhe për zhvillimet tejet shqetësuese mes Kosovës e Serbisë, ku një spirale absurde ngjarjesh e vendimesh të gabuara po kërcënon paqen, stabilitetin dhe rrugën europiane të krejt rajonit tonë”, shkroi Rama në rrjetin social Facebook.
Sakaq, gjatë vizitës në Bruksel, Rama u takua dhe me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Në takimin me Michel, Rama deklaroi se kryefjalë e bisedës, ishin tensionet Kosovë-Serbi. Rama dhe Michel kanë vënë theksin te de-eskalimi i menjëhershëm i situatës në veri.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!
Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, shkruante Rama.
/rtsh.al/