E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizitorë për të vjelë agrume në Konispol – Sezoni i vjeljes ofron përvojë autentike për turistët e huaj

Konispoli vijon të mbetet një ndër destinacionet e preferuara për turistët e huaj. Edhe gjatë këtij sezoni, fluksi i vizitorëve ka qenë i lartë, me shumë të huaj që zgjedhin të kalojnë disa ditë pushimi në këtë zonë jugore të vendit.

“Kjo është vizita ime e dytë në Konispol. Unë jetoj në Sarandë ne u zhvendosëm nga Polonia në Shqipëri. Konispoli është një qytet shumë i bukur, me shumë pemë frutash, si mandarina dhe portokalli. Vitin e kaluar, patëm këtu vizitën tonë të parë dhe që atëherë na pëlqen shumë ta vizitojmë”, u shpreh një vizitore.

“Familja ime dhe unë kemi qenë në udhëtime për disa muaj tashmë. Kemi udhëtuar nga Evropa Veriore dhe gjatë rrugës kemi zbuluar edhe Shqipërinë. Tashmë po udhëtojmë këtu për tre javë. Këtu është shumë bukur dhe duket një vend shumë pjellor. Ka kaq shumë ullinj dhe mandarina”, tha një vizitor.

Ajo që i tërheq turistët është kombinimi i natyrës së qetë, prodhimeve vendase dhe mikpritjes karakteristike të zonës. Gjatë ditëve të qëndrimit, turistët kanë mundësinë të shijojnë ushqimet tradicionale, si dhe jetën e përditshme të komunitetit tani që është procesi i vjelljes së agrumeve dhe ullinjve .

“Kam takuar shumë shqiptarë në Austri dhe zakonisht ishin njerëz shumë të mirë. Kështu që para tetë vjetësh vendosa të shkoj në Shqipëri dhe u mahnita nga peizazhi, nga ajo që Shqipëria ofron, nga klima, nga deti, nga mikpritja e njerëzve dhe nga ushqimi. Ka shumë gjëra për t’u parë. Konispoli është ndër vendet që më pëlqen më shumë . Tani është edhe në kohën e vjeljes ngelesh i mahnitur”, tha turisti.

Ndërkohë, sezoni i vjeljes së agrumeve i jep zonës një tjetër gjallëri. Vizitorët shprehen të impresionuar nga plantacionet e agrumeve dhe nga mundësia për të parë nga afër procesin e vjeljes. Kjo e bën Konispolin jo vetëm një destinacion turistik, por edhe një përvojë autentike të lidhur me traditën bujqësore të jugut të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›