E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Arkitektura e mendimit”, Tirana mirëpret edicionin e dytë të Festivalit të Letërsisë Evropiane

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë rikthehet këtë dhjetor me edicionin e 2-të duke sjellë në kryeqytet 12 autorë nga 18 vende të BE-së. Gjatë ditëve 2-6 dhjetor, Tirana do të shndërrohet në një qendër të gjallë letrare, ku lexues, studentë e të rinj do të takohen me shkrimtarë bashkëkohor, duke njohur nga afër historitë, idetë e temat që po formësojnë letërsinë europiane sot.

Aktiviteti do të zhvillohet në disa prej hapësirave më përfaqësuese të kryeqytetit, nga Shtëpia e Evropës, te TKOB, Vila 31 dhe Teatri i Kukullave.

Programi sjell lexime, diskutime, prezantime librash dhe punë krijuese që trajtojnë identitetin, migracionin, shumëgjuhësinë, kujtesën kulturore, sfidat e autorëve të rinj dhe ndikimin e teknologjisë.

Elvin Nuri nga zyra e delegacionit të BE-së, i ftuar në “Mirëmëngjes Shqipëri” deklaroi se qëllimi i këtij festivali i cili është në vitin e dytë të tij, është afrimi i publikut shqiptar me autorët europianë dhe krijimi i urave për lidhje kulturore me çdo pjesë të botës.

Nuri e konsideron si një mundësi të mirë për publikun shqiptar realizimin e këtij Festivali, motoja e të cilit është “arkitektura e mendimit”.

“Moto e këtij viti e Festivalit është “arkitektura e mendimit”, letërsia si arkitekturë mendimi. Është të kthehemi te koncepti bazë i letërsisë i cili krijon hapësira për dialog, hap dritare të reja me botën, ura për t’u lidhur kulturalisht me pjesën tjetër të botës. Kjo është një mundësi e mirë për publikun vendas që të ballafaqohemi, debatojmë e të kemi diskutim me autorët, të ngremë pyetje sfiduese e të marrim përgjigje të mira, të marrim një material që nuk gjendet kollaj.

Nga data 2 deri më datë 6 dhjetor do jemi në shtëpinë e Evropës që është ngjitur me godinën e  RTSH, do jemi të TKOB , Shtëpia e Kukullave, Qendra Kulturore “Tulla”, Biblioteka Kombëtare. Do jemi gjatë gjithë ditës. Pas dreke do organizohen kryesisht bashkëbisedimet me autorët. Gjatë kësaj periudhe kohore është menduar dhe për performancë artistike që përfshihen disa zhanere të ndryshme duke përfshirë Letërsinë, duke e bashkuar me muzikën apo arte performative. Gjatë paraditeve do jemi në shumë shkolla të Tiranës, ku do ketë ëorkshope, bashkëbisedime me nxënësit. Lexuesi t’i afrohet sa më shumë librit”, deklaroi ai.

Nuri shtoi më tej se fakti që shumë prej librave që sjellin autorët evropian në Tiranë, mund të shihet dhe si një mundësi bashkëpunimi me shtëpitë botuese shqiptare.

“Ky është viti i dytë i Festivalit, por po rritet shumë shpejt. Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, merr emra të letërsisë europiane nga vende të ndryshme anëtare të BE-së. Janë emra të njohur e autorë të rinj, dhe po njihen më gjerë në gjithë Evropën. Ne i marrim e i sjellim sa më afër publikut shqiptarë.

Shumë prej këtyre autorëve nuk janë as të përkthyer në shqip, kjo është një mundësi e rrallë që dhe botuesi vendas, audienca vendase t’i njohë dhe të ketë interes për bashkëpunime në të ardhmen”, deklaroi Nuri.

Ky i fundit sqaroi se festivali është organizuar nga delegacioni i BE-së në bashkëpunim me institutin italian të kulturës dhe vendet anëtare. Autorët janë nga Irlanda, Polonia, Çekia, Austria, Sllovenia, Kroacia, Italia, Greqia, Bullgaria, etj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›