E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizitorë vendas e të huaj vlerësojnë ekspozitën e ATSH-së si dëshmi të kujtesës historike

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Vizitorë vendas dhe të huaj e kanë vlerësuar ekspozitën “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur prej disa ditësh në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare si një dëshmi të rëndësishme të kujtesës historike dhe kulturore të vendit.

Gjatë vizitës së tyre ata kanë treguar interes për fotografitë bardhezi të dala nga laboratorët e ATSH-së, por edhe makinat e para të transmetimit, radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët si dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit.

Vizitorët e vlerësuan këtë ekspozitë për materialet e ndryshme arkivore që pasqyrojnë momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, të dokumentuara ndër dekada nga ATSH.

Një prej vizitoreve vlerësoi veçanërisht dokumentimin e rolit të grave gazetare ndër vite.

“Historia juaj është mbresëlënëse dhe dokumentimi i saj është gjithashtu i rëndësishëm. Vlerësoj dokumentimin e grave gazetare dhe rolin e gruas gjatë asaj periudhe. Do të dëshironim të shikonim më shumë për këtë në të ardhmen dhe të dëgjonim zërat e këtyre grave. Keni bërë një punë fantastike”, u shpreh një turiste e huaj.

Një vizitore e veçantë ishte edhe sopranoja Edit Mihali, e cila tha se, “më tërhoqi vëmendjen ekspozita juaj dhe prandaj ndalova këtu. Është interesante dhe do të doja ndoshta më shumë shpjegime lidhur dhe me personazhet, se çfarë vendi kanë zënë në historikun e ATSH-së. Ne jemi rritur me foto dhe lajmet e ATSH. Do të doja më shumë detaje. Uroj të keni një gjë edhe më të madhe herës tjetër”.

Interes për ekspozitën treguan edhe turistë nga vende të ndryshme, të cilët ndaluan për të parë më nga afër fotografitë e prezantuara.

Një turiste nga SHBA tha se “po mundohem ta njoh nga afër ekspozitën dhe nga të gjitha pikëpamjet është absolutisht shumë bukur këtu. Historia është vërtet magjepsëse, jam shumë e lumtur të mësoj për gjithçka që ka ndodhur, periudhat e bukura dhe ato të vështira që populli juaj ka përjetuar”.

Disa të rinj nga Spanja thanë se “vijmë nga qytetet e Valencias dhe Barcelonës. I ftojmë të gjithë të vijnë këtu në Tiranë dhe të mësojnë më shumë për historinë, sepse është vërtet interesante”.

Një tjetër vizitor tha se ekspozita ishte mjaft interesante për të pasionuarit pas historisë dhe fotografisë.

“Jam i interesuar për fotot e vjetra mbi historinë e Shqipërisë. Kjo ekspozitë është shumë interesante dhe sugjeroj njerëzit ta vizitojnë. Është shumë e bukur si për pasionantët e fotografisë, ashtu edhe për ata që duan të njohin historinë shqiptare”, tha ai.

Ekspozita e ATSH-së sjell për publikun një pjesë të rëndësishme të arkivit fotografik dhe historik të agjencisë, duke evidentuar rolin e medias në dokumentimin e ngjarjeve kryesore të vendit ndër vite.

Ekspozita e hapur në bashkëpunim me DPA do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalasë së Tiranës.

Ekspozita e ATSH, foto: Andrin hoxha 1 nga 11

/k.s/e.ruzi/a.gjonaj/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›