Vjedh unazën për të fejuarën, policia ia kap në stomak

Unaze fejese / Foto arkiv
Tiranë – Një 27-vjeçar nga Cërriku ndodhet prej të paktën 20 orësh në komisariatin e policisë nr 3 në kryeqytet, nën vëzhgimin e policisë, teksa pret që unaza e vjedhur në një argjendari dhe e gëlltitur më pas, të dalë jashtë nëpërmjet rrugëve natyrale.
27-vjeçari Erion Cërriku ka shkuar mbrëmë në një nga argjendaritë e kryeqytetit së bashku me të dashurën, për ti blerë kësaj të fundit unazën e fejesës.
Por për shkak të çmimit të lartë dhe pamundësisë për ti blerë nuses së ardhshme unazën, ai e ka gëlltitur atë në një moment kur shitësi nuk e kishte mendjen.
Por 27-vjeçari nuk ka qenë shumë fatlum, pasi pronari i dyqanit ka lajmëruar pa i dhënë kohë çiftit të dalë nga dyqani. Pas verifikimeve të para, policia i ka kërkuar dhëndrit të ardhshëm të bëjë një grafi, e cila ka treguar unazën në stomakun e tij.
Ai është arrestuar menjëherë dhe është dërguar në ambientet e komisariatit nr 3, ku po mbahet nën vëzhgim deri sa unaza të dalë jashtë nëpërmjet rrugëve natyrale.
Erion Cërriku, me precedentë të tjerë në vjedhje dhe shitje narkotikësh, pritet të përballet sërish me akuzën e vjedhjes, ndërsa unaza do i kthehet dyqanit pas “udhëtimit” të pazakontë. / G.N.