E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e 67 mijë eurove, kapet punonjësja e agjencisë dhe një tjetër



TIRANË – Zbardhet grabitja e 67 mijë eurove në një agjenci udhëtimesh. Një punonjëse në kompaninë e grabitur ka shërbyer si karrem që autorët e krimit të realizojnë planin e tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Mesdita”, kanë ndaluar shtetasit Rodrik Malaj, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, dhe Gerta Mezuraj, lindur në Lezhë dhe banuese në Tiranë, e punësuar në agjencinë “Ar&Lo Travel”. Sipas tyre, janë shpallur në kërkim edhe dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkaqe hetimore. Mezuraj ka spiunuar kolegen e saj, e cila po dërgonte në bankë shumën e parave dhe i ka ngritur pritën nga dy autorët e grabitjes, të cilët dy ditë më parë i morën shumën e 67 mijë eurove.

Skema
Gerta Mezuraj është bërë pjesë e një skeme për grabitjen e kompanisë së saj. Ajo ka njoftuar Rodrik Malajn dhe dy të tjerë se kolegia po dërgonte një sasi të madhe parash në bankë. Kaq ka mjaftuar dhe grupi kriminal i ka zënë pritë, duke marrë shumën e parave. Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Tiranës, Alma Katragjini, bëri të ditur se “implikimi i shtetases Gerta Mezuraj në këtë vjedhje me dhunë dyshohet se është arritur duke bashkëpunuar me autorët, duke dhënë informacion gjatë momenteve të lëvizjes së koleges së saj për depozitimin e shumës së parave në bankë”.
Kjo vjedhje është realizuar ditën e martë, në orën 15:00, në rrugën “Abdyl Frashëri“ në Tiranë, ku autorët dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, kanë mundur të posedojnë këtë shumë parash.

Operacioni
Pas ngjarjes policia përpiloi operacionin e koduar me emrin “Mesdita”, ku morën pjesë ekspertë të strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë. Nga dëshmitë e para nisën përpunimin e informacioneve, të cilat ngjallën dyshime se vjedhja është bërë me ndihmën e një personi të brendshëm.
Në sajë të një pune hetimore, të organizuar dhe aplikimit të metodave speciale të hetimit, u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Rodrik Malajt, 23 vjeç, dhe Gerta Mezurajt, punonjëse pranë agjencisë “Ar&Lo Travel”. Burimet policore sqarojnë se është bërë shpallja në kërkim policor edhe e dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Gjatë ecurisë së hetimeve u dokumentua tërësisht implikimi i punonjëses së agjencisë, ku 23-vjeçari Malaj i ka vjedhur me dhunë çantën punonjëses së firmës së udhëtimeve “Ar&Lo Travel“, ku ka mundur të marrë sasinë e parave prej 67 mijë eurosh. “Policia arriti të bënte sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të valutës së grabitur dhe arrestimin në flagrancë të dy prej autorëve, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e bashkautorëve të tjerë, tashmë të identifikuar”, - thonë burimet policore.
Gjatë tri ditëve të fundit kanë ndodhur disa grabitje, përfshirë edhe arkën e filialit të CEZ-it, në afërsi të stadiumit “Dinamo” dhe filialit të një banke në Vlorë. Edhe në analizat vjetore të Policisë së Shtetit rezulton një rritje e ndjeshme e veprave penale të vjedhjes dhe grabitjeve.

Seksi me dhunë me të miturën çon në pranga 22-vjeçarin

POGRADEC – Një 22 vjeçar, i shpallur në kërkim për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë, pas caktimit të masës së sigurisë, është ndaluar nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se u kap shtetasi Danil Çekiçi, banues në fshatin Buçimas, për të cilin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg” për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të mitura”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së qarkut Korçë, ky shtetas është një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur më datë 11 tetor të këtij viti në fshatin Buçimas, ku ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen J. A., 17 vjeçe”. Materialet në ngarkim të Çekiçit i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit.

Zbulohet autori që vrau endacakun dy vjet më parë

PEQIN – Pas dy vjetësh mister në lidhje me vrasjen e një të moshuari që endej rrugëve, policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen dhe ka gjetur autorin, i cili ndodhet në Britaninë e Madhe, i arrestuar nga autoritetet vendase. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “I panjohuri”, u bë e mundur që të identifikohej shtetasi E. Sh., 18 vjeç, banor i qytetit të Peqinit, si autor i vrasjes së një shtetasi 60-vjeçar rreth dy vjet e gjysmë më parë. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të ”vrasjes me paramendim dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Nga të dhënat policore, më datën 29 qershor 2008, rreth orës 23:30, në qytetin e Peqinit, në afërsi të Stacionit të Trenit, mbi shina, është qëlluar, duke u plagosur rëndë me armë zjarri një shtetas i seksit mashkull, i paidentifikuar, i moshës rreth 60 vjeç. I lënduari u dërgua menjëherë në Spitalin e Elbasanit, ku me gjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha gjeti vdekjen për shkak të plagëve që kishte marrë në trup. Për këtë ngjarje u kryen veprimet e para procedurale dhe hetimore në momentin e ndodhjes së ngjarjes dhe më vonë, por nuk u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i saj. Bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë, duke përdorur edhe metoda speciale hetimore, si dhe me ndihmën e ekspertëve të Prokurorisë së Përgjithshme, u bë i mundur dokumentimi i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, duke zbuluar autorin e krimit. Për vrasësin u siguruan informacione të sakta për vendndodhjen e tij dhe së shpejti pritet ekstradimi i tij nga Anglia, kjo në bazë të shpalljes në kërkim ndërkombëtar që i është bërë nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan. Tashmë pritet ardhja në Shqipëri dhe nisja e procesit gjyqësor, ku i pandehuri do të përballet me akuzat e ngritura për vrasje.

Task-Forcë rajonale në luftën kundër terrorizmit

TIRANË – Të paktën 16 shtete nga Europa Juglindore kanë vendosur që të koordinojnë përpjekjet në luftën kundër terrorizimit. Dje u mbajt në Tiranë konferenca e organizuar nga Interpoli, në kuadër të projektit “Nexus”, me pjesëmarrjen e 19 delegacioneve me ekspertë të luftës kundër terrorizmit, ku u ra dakord që të ngrihej një strukturë e përbashkët rajonale për të shkëmbyer informacione që kanë të bëjnë me masat e përbashkët kundër elementëve terroristë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, z. Agron Kuliçaj, u shpreh se “përpjekjet janë fokusuar për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve rajonale, por edhe vendeve të tjera europiane që luftojnë kundër terrorizmit, duke vënë theksin në marrjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit të përbashkët”. “Ideja e hedhur në këtë takim për krijimin e një Task-Force mbetet aktuale, pasi do të shërbejë si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit, si dhe përdorimin në kohë të instrumenteve të strukturës së Interpolit kundër terrorizmit si në nivel kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar”, - tha Kuliçaj. Ndërkohë, Vasilieos Theofilopulos, menaxheri i projektit “Nexus”, vlerësoi rëndësinë e takimeve të këtij lloji me synim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër aktiviteteve terroriste.
“Një nga qëllimet kryesore të takimit tonë është të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër aktiviteteve terroriste ndërmjet shteteve në rajon (të Europës juglindore), si dhe mes këtyre shteteve me shtete të tjera të botës, po ashtu të rrisë rolin e rrjetit Task-Forcë, si një mekanizëm për shkëmbimin e informacionit për çështje të luftës kundër terrorizmit dhe përdorimin e mjeteve të Interpolit kundër terrorizmit”, - theksoi z. Theofilopulos. Takimi i ekspertëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë projekt vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.

Sherri në internet publik, plagoset 18-vjeçari

TIRANË – Një konflikt mes të rinjve në një internet publik në Tiranë është bërë shkas për plagosjen e një personi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se pasditen e së martës është qëlluar me thikë shtetasi Abdulla Lita, 18 vjeç. Për këtë ngjarje është identifikuar dhe shpallur në kërkim Sokol Domi, 23 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë. “Procedimi penal në ngarkim të tij ka filluar sepse dy ditë më parë, rreth orës 17:00, në Shkozë, në ambientet e një lokali “Internet”, në pronësi të një shtetasi, për motive të dobëta, pas një grindjeje, ka plagosur me armë të ftohtë thikë një 18-vjeçar”, - thonë burimet policore. Sipas tyre, materialet në ngarkim të Domit i kaluan prokurorisë dhe po punohet për kapjen e tij.

Sherri në pikën e karburantit, plagoset 29-vjeçari

DURRËS – Një sherr në një pikë karburanti mes dy të rinjve ka përfunduar me përdorimin e armëve, ku një person është plagosur me armë zjarri në këmbë, ndërsa autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Policia e Durrësit bëri të ditur se dy ditë më parë filloi procedimi penal në mungesë, në ngarkim të shtetasit Alban Domi, 31 vjeç, banues në rrethin e Durrësit. Shtetasi në fjalë dyshohet se të njëjtën ditë, rreth orës 12:30, në Lagjen Nr. 14 të qytetit bregdetar, në afërsi të një karburanti, në rrugën Durrës-Tiranë, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri tip pistoletë, shtetasin A. R., 29 vjeç, banues në Durrës, i cili ka marrë dëmtime në këmbë. “I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, po punohet për kapjen e Domit, i cili pritet të përballet me akuzën për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

16 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›