E Diel, 1 Nëntor 2026

Dik Marti: “Posedoj fakte e prova që inkriminojnë Thaçin”



Raportuesi i Këshillit të Europës, Dik Marti, është shprehur në një konferencë për shtyp, se ka prova dhe fakte për implikimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në trafikun e organeve. Gjatë konferencës, Marti deklaroi se hetimi i tij është shumë serioz dhe se ai ka fakte e prova për akuzat e bëra në raport duke i kërkuar autoriteteve përkatëse të nisin hetimet, pasi të kenë shqyrtuar me vëmendje raportin e tij. Ai bëri thirrje që t’i jepet rëndësi dëshmive që paraqiten në këtë raport. Raportuesi Marti ka bërë me dije se prej dy vjetësh ka kryer hetime mbi këtë çështje, por nuk i ka bërë publike të gjitha të dhënat. Në konferencë, Marti përmendi edhe Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri, ku sipas tij kryhej trafiku i organeve, ku dhe janë gjetur gjurmë gjaku. Sipas Dik Martit, ka persona që kanë mbuluar faktet, dhe se ka prova të mjaftueshme për akuzat që ai paraqet. Raportuesi i Këshillit të Europës shtoi se vendosi të publikojë tani këtë raport për të mos dëmtuar procesin zgjedhor, dhe se tashmë detyra e tij ka përfunduar. Sipas Martit, tani i takon EULEX-it dhe autoriteteve përkatëse të vazhdojnë hetimet e nisura.
Detajet
Mediat në Kosovë shkruajnë se Dik Marti ka shfrytëzuar kryesimin e Këshillit të Europës nga Serbia, për të përgatitur një tjetër raport për Kosovën. Gazeta britanike “The Guardian”, ka cituar pjesë të raportit të Dik Martit, që ngre edhe një herë çështjen e "Shtëpisë së Verdhë" dhe trafikimin e organeve të serbëve. “Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptarësh, përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Europën Lindore. Hashim Thaçi është identifikuar si “bosi” i një rrjeti që ka filluar të vërë në veprim rrjetet e tij kriminale në prag të luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe i cili ka ruajtur ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë”, thuhet në shkrimin e “The Guardian”. Në këtë shkrim përmendet gjithashtu se Thaçi ka ushtruar “kontroll të dhunshëm” mbi tregtinë e heroinës gjatë dekadës së fundit. Në shkrimin e “The Guardian” thuhet se figura të rrethit të ngushtë të Thaçit janë akuzuar se kanë marrë pjesë në rrëmbimet dhe vrasjet pas luftës, veçmas të serbëve të vrarë, organet e të cilëve janë shitur në tregun e zi.

Këshilli i Europës miraton rezolutën e Dik Martit

Komiteti Parlamentar i Asamblesë së Këshillit të Europës (APKE) për të Drejtat e Njeriut dhe legjislaturë ka miratuar në Paris projektin e raportit të raportuesit Dik Marti, në të cilin akuzohet kryeministri kosovar Hashim Thaçi, se ka qenë në krye të grupeve mafioze për kontrabandë armësh, droge dhe organesh njerëzore në gjithë Europën Lindore. Komisioni më tej ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe në nivel kombëtar, lidhur me akuzat për trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera nga grupet e organizuara kriminale dhe qarqet politike në Kosovë.
Sipas draft rezolutës që u miratua në mënyrë unanime dje në Paris, bazuar në raportin e Dik Martit, Komisioni deklaroi se ka të dhëna të shumta që përputhen, të cilat konfirmojnë se serbë dhe shqiptarë të Kosovës janë mbajtur të burgosur në vende sekrete nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Veri të Shqipërisë dhe kanë qenë subjekt i trajtimeve çnjerëzore përpara se të zhdukeshin. Lajmi u konfirmua nga vetë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare deklaron se Komisioni i bën thirrje EULEX-it dhe Bashkimit Europian, që të këmbëngulin në hetimin e këtyre krimeve. Asambleja Parlamentare do ta diskutojë raportin në 25 janar.

BE refuzon kërkesën e LDK-së për përsëritje të zgjedhjeve

Bashkimi Europian ka refuzuar kërkesën e opozitës në Kosovë për përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare. “Ne presim, që të mbyllet procesi elektoral”, tha dje në Bruksel një zëdhënëse e së Ngarkuarës me Politikën e Jashtme të BE-së, Kethrin Ashton. Sipas saj, ka rregulla dhe procedura, të cilat duhet të ndiqen. Menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë, Ashton deklaroi se ajo shpreson për formimin sa më të shpejtë të qeverisë në Kosovë. “Kjo nuk do të thotë se BE ka rekomanduar ndonjë afat”, tha zëdhënësja. Kërkesa për përsëritje të zgjedhjeve vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e Isa Mustafës, i cili pretendon se gjatë procesit zgjedhor pati parregullsi. “Ne duhet ta përsërisim votimin në të gjithë Kosovën”,- tha zëdhënësi i LDK-së, Arben Gashi. "Nuk mjafton që zgjedhjet të përsëriten vetëm në komunat ku ka pasur falsifikime të rënda. LDK-ja ka konstatuar falsifikime në shtatë komuna. Në to janë vjedhur vota në numër të madh”, është shprehur zëdhënësi Gashi.

Akuzat, Thaçi përgatit padi penale për Dik Martin

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi po planifikon një padi për të dërguarin e posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili në raportin e tij ka shkruar se të burgosur civilë janë vrarë, pasi u janë marrë veshkat e tyre. Marti supozon se kryeministri i Kosovës ishte në krye të këtij grupi mafioz. Lajmi për përgatitjen e padisë është konfirmuar nga një zyrtar i lartë i Kosovës, i cili nuk është identifikuar për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Sipas këtij zyrtari, Thaçi ka kontaktuar avokatët për të ndjekur me padi për shpifje Martin. Raporti i tij tronditi Kosovën, pasi thuhet se të paraburgosurve civilë të UÇK-së u janë shitur organet e tyre në tregun e zi dhe dokumenti sugjeron se Thaçi ishte dikur “bos”-i një i krimit dhe qëndronte pas tregtisë së drogës. Vetë kryeministri i ka quajtur të pabaza këto dëshmi dhe ka bërë thirrje që gjithçka të jetë e dokumentuar me fakte. Thaçi, deklaroi se akuzat e raportuesit të Këshillit të Europës, Dik Marti janë të drejtuara kundër Kosovës, kundër luftës së UÇK-së dhe kundër tij personalisht. Ai kërkoi që populli i Kosovës t’i marrë me qetësi këto raporte, ndërsa u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar për zbardhjen e së vërtetës. Thaçi tha se do të ndjekë mjetet ligjore dhe politike për të hedhur poshtë përmbajtjen e raportit, duke përfunduar se në fund do të triumfojnë drejtësia dhe e vërteta.

17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›