E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen filmi izraelit

Për herë të parë në Kosovë organizohet Java e Filmit Izraelit. Nga 27 tetori e deri më 29 tetor, në Kinemanë ABC do të mund të ndiqen pesë filma izraelitë, me përkthim në gjuhën shqipe.

Reflektimi i lidhjeve të thella historike e kulturore dhe miqësia midis dy popujve shfaqet në forma të ndryshme. Kësaj radhe kjo bëhet nëpërmjet kinematografisë, në formë të javës së filmit izraelit që organizohet për herë të parë në Kosovë. Do të shfaqen pesë filma të zëruar në hebraishte dhe të përkthyer në gjuhën shqipe.

Shfaqja e filmave do të bëhet nga data 27 deri më 29 tetor, ndërsa hyrja në projeksionet e tyre, që organizohet nga Shoqata e Solidaritetit Shqiptaro-Izraelit, nga Prishtina, dhe Ambasada e Izraelit në Beograd, do të jetë pa pagesë. Hyrja pa pagesë është pothuajse dukuri e zakonshme në të gjitha aktivitetet e tilla, me qëllim të joshjes së publikut në dhe pasurimit të tyre me vlera kulturore, thekson menaxherja e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu.

Sipas Vllahiut, prezantimi gjatë këtyre tri ditëve i kinematografisë izraelite është një prej aktiviteteve të shumta të kinemasë, përveç programit të rregullt të shfaqjes së filmave hollivudianë, evropianë e shqiptarë.

“Gjatë më shumë se 12 viteve punë të kompanisë sonë, dritarja e madhe e Kinemasë ABC ishte nikoqire e shumë kinematografive, si të asaj franceze, gjermane, britanike, zvicerane, turke, Indiane etj.”, sqaron Vllahiu

Meqenëse kinematografia izraelite ka depërtuar fuqishëm në festivalet botërore, dhe duke e konsideruar atë një ofertë me shumë për adhuruesit e filmit, sipas Vllahiut, Kinemaja ABC pret një numër të konsiderueshëm të atyre që dëshirojnë të njihen nga afër me me kinematografinë dhe kulturën e këtij vendi.

Paraprakisht, të enjten (më 27 tetor), me fillim nga ora 14, në Kinemanë ABC mbahet konferencë për media, në të cilën pritet të marrin pjesë përfaqësues të mediave elektronike dhe të shkruara, regjisorë, producentë dhe aktorë kosovarë.

“Në konferencën për media dhe në hapjen zyrtare të Javës së Filmit Izraelit do të jenë të pranishëm edhe mysafirë dhe organizatorë të ngjarjes, nga Ambasada e Izraelit në Beograd dhe nga Shoqata e Solidaritetit Shqiptaro-Izraelite e Kosovës”, sqaron Vllahiu.

Ndryshe, gjatë të premtes dhe të shtunës, do të shfaqen filmat “Gërmimi i Madh” (Big Dig), “Vera e Avijas” (The Summer of Aviya), “Aviva, Dashuria Ime” (Aviva my Love), “Sytë e Mëdhenj” (Big Eyes) dhe “Polici” (The Policeman).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›