Me strategji të re

Pas refuzimit të fundit që UEFA e FIFA ia bënë kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore me përfaqësuese dhe klube, udhëheqësit e futbollit kosovar po mendojnë ta përgatisin një strategji të re.
Ajo pritet të jetë gjithëpërfshirëse, nëpërmjet të cilës synojnë ta thyejnë izolimin shumëvjeçar në të cilin gjendet futbolli kosovar. Mirëpo, për ta arritur objektivin, sipas udhëheqësve të FFK-së, është e domosdoshme edhe përfshirja e Qeverisë së Kosovës në këtë plan, por edhe të gjithë ambasadorët e akredituar në Prishtinë nga shtetet e huaja.
“Shumë shpejt do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për të dalë me një qëndrim se si të veprohet tash pas këtij refuzimi që na u bë. Mendojmë që në këtë mbledhje duhet të marrin pjesë edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, por edhe ministra tjerë apo edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi”, deklaroi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
“Mendojmë që në këtë punë është e nevojshme të angazhohen edhe gjithë ambasadorët e shteteve të huaj që janë në Kosovë. Nga kjo mbledhje bashkërisht duhet të dalim me një qëndrim se çka të bëhet në vazhdim të procesit tonë që e kemi nisur, e që nuk do të ndalemi derisa të mbërrijmë në cak – pra derisa të pranohemi plotësisht në FIFA e UEFA”, theksoi Salihu.
Kështu, Salihu nuk e përjashtoi mundësinë që nëpërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Prishtinë, FFK-ja po synon ta nxitë kryeqytetin evropian, Brukselin, që t’i bëjë presion UEFA-s e FIFA-s në mënyrë që këto dy organizata t’i zbusin qëndrimet e tyre karshi aspiratës së kosovarëve.
Ndërsa opsioni për ta paditur FIFA’n e UEFA’n në Gjykatës Ndërkombëtare Sportive ka rënë në ujë. Drejtuesit e futbollit kosovar kanë hequr dorë nga ky opsion pasi mendojnë se ky opsion do të mund t’i dëmtonte akoma më shumë marrëdhëniet me shtëpinë evropiane dhe atë botërore të futbollit.