Vjen libri “Lufta e fundshekullit të 20-të për Kosovën”

Libri u botua nën përkujdesjen e Institutit Albanologjik, ShB “Ura” dhe botuesit Xhemë Karadaku.
Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, me rastin e promovimit të këtij libri, ka thënë se ky libër është një kontribut në vazhdën e ndriçimit të së vërtetës në luftën tonë çlirimtare.
Për luftën që solli lirinë e Kosovës, janë shkruar qindra libra, një bibliotekë e tërë do thoshim. Është një përgjegjësi e madhe profesionale të shkruash për të vërtetën në luftën tonë çlirimtare por edhe nder i veçantë të bëhesh pjesë e kësaj bibliografie. Kjo përgjegjësi dhe ky nder pa dyshim i përket edhe autorit Ismet Hajrullahu.
Në mesin e shumë panelistëve të cilët folën për rëndësinë e librit, ishte edhe profesori Agim Zogaj, i cili vlerësoi lart kontributin e autorit Ismet Hajrullahu, duke thënë se ai është një ndër autorët që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për ndriçimin e luftës së udhëhequr nga UÇK.
Me librin e tij më të ri, autori Ismet Hajrullahu paraqet kontribut konkret për ndriçimin e rrugës së Kosovës për liri, për ndriçimin e luftës së UCK-së për t’i dalë zot popullit të vet.
Ndërkaq vetë autori Ismet Hajrullahu ka thënë se ndjehet i emocionuar për siç tha ai, që po jetojmë në vigjilje të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Autori tha se populli shqiptar ka bërë një rrugëtim të gjatë, të mbushur përplot sakrifica që prej 100 vjetësh më parë e deri më sot
“…Ecin gjithë shpirtrat e atyre që u sakrifikuan, dhanë për pavarësinë e Shqipërisë, ecin bashkë me popullin, bashkë me neve, të gjithë ata që sakrifikuan për shkëputjen e Kosovës nga kthetrat e Serbisë”
Ndryshe, të pranishëm në këtë përurim libri në sallën e tejmbushur, ishin emra të njohur të veprimtarisë politike antijugosllave, shkencës e publicistikës shqiptare ndërkaq në fillim të përurimit, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër, për rrethanat të cilat i paraprinë asaj që është shkruar në librin e Ismet Hajrullahut.