E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 100 vjetori i Pavarësisë vjen me projektin e Qeverisë për Shqipërinë e zhvilluar

05-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha foli dje në Kukës edhe për kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Berisha vlerësoi se në tetor të 1912-ës popullata e kësaj krahine njohu masakrat dhe barbaritë më mizore, por asnjëherë nuk u dorëzua dhe falë këtij zotimi mbeti në themel Pavarësia e Shqipërisë.
“Rrugës drejt jush më erdhën në mendje historitë e tetorit dhe nëntorit të vitit 1912. Në Lumë, në Kosovë, në Tropojë, në Has e në Dibër ato janë historitë njerëzore më të dhimbshme. Në tetor të 1912 popullata e kësaj krahine njohu masakrat dhe barbaritë më mizore. Në nëntor të vitit 1912 burrat dhe gratë e Lumës do t’u jepnin këtu barbarëve Vaterlonë e vërtetë, do të shndërronin në kocka hordhitë e pushtuesve të rinj, të cilët menduan se erdhi koha të eksterminonin kombin më të vjetër të rajonit. Ato beteja mbetën themel i pavarësisë së shqiptarëve. Në ato beteja ushtritë armike lanë mbi 12 mijë forca në përrenjtë, lumenjtë, gërxhet e shkrepat e kësaj zone”, u shpreh Berisha.
Për kreun e ekzekutivit, “sot, mënyra më e mirë për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre është të ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar. Sot, nderimi më i madh që ne u bëjmë atyre është Shqipëria anëtare e NATO-s. Sot, nderimi më i madh që ne i bëjmë sakrificës së tyre është Shqipëria e sigurt në rrugën e saj të integrimit evropian. Sot, nderimi më i madh që ne u bëjmë atyre janë autostradat, rrugët, hidrocentralet, uzinat, vendet e punës, fermat dhe të gjitha projektet, të cilat bëjnë që Shqipëria të renditet në familjen e vendeve të zhvilluara”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›