E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këlcyrë, sulmohet makina e ambasadorit grek, Pazios

KELCYRE- Makina e ambasadorit grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, sulmohet me gurë dhe shkopinj flamujsh në urën e Dragotit, ndërkohë që përfaqësues të partisë naziste greke “Agimi i Artë” kanë hedhur thirrje antishqiptare gjatë ceremonive zyrtare për nderim të ushtarëve grekë në ditën e festës kombëtare të Greqisë. Ceremonitë, që nisën në Këlcyrë e përfunduan në fshatin Bularat të Komunës Dropull i Poshtëm, hasën në rezistencën e qindra përfaqësuesve të PDIUsë, Aleancës Kuq e Zi, Lëvizjes ‘Vetëvendosja’, si dhe ‘Klubit të Patriotëve të Rinj’, të cilët synuan ndalimin e këtyre ceremonive. Pre e protestuesve ka qenë edhe kryetari i PBDNJ- së, Vangjel Dule, makina e të cilit u qëllua me gurë dhe vezë nga protestuesit. Janë dashur qindra forca policie si dhe forcat speciale, për të mbajtur nën fre situatën e acaruar. Incidentet e ndodhura të dielën janë komentuar edhe nga mediat greke. 

VARREZAT 
Ceremonia e parë për 28 tetorin, festën kombëtare të Greqisë, nisi nga Këlcyra, aty ku prehen eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në luftë. Të vendosur në fillim të urës së Dragotit, urës lidhëse të Përmetit, me zonën e Mallakastrës, protestuesit kontrolloheshin nga një zinxhir i forcave të rendit për të shmangur incidentet. Por këta të fundit s’kanë mundur ta përmbajnë turmën, e cila me të parë makinat e diplomatëve grekë dhe autobusët me familjarët e ushtarëve të rënë në luftën italo- greke i sulmuan me gurë, shkopinj famujsh e shkelma. Incidenti i parë u shënua në orën 9 e 45 minuta mbi automjetet e ambasadorit grek në Tiranë, Nikolaos Pazios dhe konsullit të përgjithshëm grek në Gjirokastër, Nikollas Kotrokois. Dhjetëra simpatizantë kanë hedhur gurë dhe bishta flamujsh ndaj mjeteve të tyre, ndërsa disa prej protestuesve kanë tentuar të hidhen mbi makina, duke i gjuajtur me shkelma. Është dashur ndërhyrja e policisë, mes të cilëve dhe forcat speciale, për të parandaluar përshkallëzimin e këtij incidenti e me neutralizimin e tyre, turma e protestuesve ka hedhur vetëm parulla, si dhe fyerje e ofendimeve kundra diplomatëve grekë. I ftuar në ceremoni, ambasadori grek në Tiranë mbajti një fjalim të shkurtër para të pranishmëve. Nikolaos Pazios tha se, përveç evokimit të sakrificës dhe fitores greke në këtë luftë, përveç nderimit të të rënëve, Greqia po kalon një periudhë jo të mirë për shkak të krizës ekonomike, duke e lidhur se, ashtu si beteja e afro 70 viteve më parë, edhe kjo e sotmja do të fitohej prej tyre. Pazios ka theksuar se pjesë e luftës italo- greke ka qenë edhe babai i tij. 

FRIKA 
Më pas protesta e përfaqësuesve u zhvendos pranë rrugës nacionale Gjirokastër- Këlcyrë, pranë varreve të ushtarëve grekë në Këlcyrë. Me mbërritjen e autobusëve, ku ishin dhjetëra familjarë të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, një tjetër incident u shënua. Gurë dhe mjete të tjera të forta u lëshuan drejt autobusit, ndërsa qytetarët e huaj që ishin në mjet u ulën poshtë sediljeve, të trembur nga situata e krijuar. Pas mbajtjes së meshës në Kishën e Manastirit, ku prezent ishte dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pati një tjetër incident. Sipas protestuesve, ishte deklarata e Dules, ajo që acaroi sërish grupimet. I pyetur mbi pusinë e ngritur prej dhjetëra të rinjve shqiptarë e kosovarë, Dule u shpreh: “Nëse ju konsideroni tubim mbledhjen e 20 apo 30 të rinjve të paguar me 50 mijë lekë të vjetra, me dy sandviçë dhe një autobus vajtje- ardhje, atëherë nuk jemi në të njëjtën frekuencë”. Pas deklaratës, edhe makina e tij u sulmua me gurë e vezë. 

THIRRJET ANTISHQIPTARE 
Ceremonitë zyrtare kanë vijuar në fshatin Bularat në Dropullin e Poshtëm në kishën e fshatit, nën prezencën e përfaqësuesve të lartë të qeverisë greke, presidencës, ushtrisë, ku u vendosën kurora me lule në memorialin e ushtarëve të rënë në Shqipëri. Në Bularat nuk kishte më grupe të përfaqësuesve, çka ka bërë që ceremonia të vijojë pa incidente. Veç të pranishmëve në ceremoni ishin të pranishëm dhe kanë vendosur kurora edhe deputetët Spiro Ksera dhe Kosta Barka, si dhe prefektja e qarkut jugor, Mimoza Çomo. Edhe pse pa incidente nga protestuesit shqiptarë, ka pasur një thirrje politike në këtë ceremoni, bërë nga Kristos Papas, deputet i “Agimit të Artë”. Pasi vendosi kurorën në memorialin e ushtarëve, ai u kthye nga të pranishmit duke thërritur “Rroftë Vorio Epiri!”. Thirrjes së tij i është bashkuar një korr zërash nga të pranishmit, me thirrjen: “Rroftë!”.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Mediat greke: Festa në Shqipëri, incident i rëndë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›