Vladimir Putin uron Bajram Begaj për zgjedhjen si President: Suksese në detyrën më të lartë shtetërore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në krye të shtetit shqiptar. Me një postim në Facebook, ambasada ruse bën me dije se Putin i ka uruar suksese Begajt në detyrën më të lartë shtetërore.
“Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i ka përcjellë urime z.Bajram Begaj për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe i uroi shëndet dhe suksese në detyrën e tij më të lartë shtetërore”, shkruhet në postimin e ambasadës.
Pas zgjedhjes President, Begaj ka marrë një sërë urimesh edhe nga krerë shtetesh, përfshirë Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Bajram Begaj u zgjodh President me 78 vota pro në raundin e katërt të votimit që u zhvillua më 4 qershor, ndërsa do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik, kur i mbaron mandati Presidentit aktual, Ilir Meta.
/rtsh.al/