E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra qytetarë i thonë: "Po" NATO-s, "Jo" Berishës

 

Protestuesit kanë akuzuar qeverinë si të paaftë për të siguruar mirëqenie dhe siguri

"Ti je turpi ynë kombëtar", një ndër sloganet në pankartat e protestuesve

TIRANË- Koha e keqe dhe koncerti i mbajtur (si një kundramiting) nga Qendra Kulturore "Pjetër Arbnori" nuk ka penguar qytetarët e Tiranës të mbushin sheshin "Skënderbej" për të shprehur revoltën e tyre mospajtuese ndaj mënyrës se si ka qeverisur e djathta në pushtet, por edhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Me sloganin qendror "Po NATO-s, jo Berishës" qytetarët e kryeqytetit me flamujt kombëtarë dhe ato të partive opozitare në duar, i janë përgjigjur thirrjes së Partisë Socialiste dhe kanë protestuar dje në mënyrë paqësore ndaj asaj që shpeshherë në thirrjet e tyre është cilësuar si keqqeverisje varfëruese dhe kërcënuese për jetën e shqiptarëve. Protesta, si për të treguar se qëllimi i saj ishte shpëtimi i vendit nga kthetrat e korrupsionit qeverisës, ka nisur me tingujt e këngës së njohur patriotike "Për ty Atdhe", me të cilën është pritur dhe ardhja e kreut të opozitës, Edi Rama, kreut socialdemokrat Skënder Gjinushi dhe drejtuesve të tjerë të lartë opozitar (përfaqësues të lartë të LSI dhe partive të tjera opozitare kanë qëndruar në shesh). Nuk mungonin në podium dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, si ajo e "Ushtarakëve në rezervë dhe pension", apo edhe ajo më e reja e krijuar pak ditë më parë "Mbi tragjedinë e Gërdecit", si dhe përfaqësues të familjeve të viktimave të kësaj tragjedie. Më pas, protesta ka vijuar me fjalët përshëndetëse të kreut socialist Edi Rama dhe krerëve të dy shoqatave pjesëmarrëse në këtë miting, të cilët nuk kanë nguruar të bëjnë përgjegjës Kryeministrin jo vetëm për tragjedinë e tre javëve më parë, por edhe për nivelin e lartë të papunësisë, çmimet e larta, dhe të shumë fenomeneve negative që janë vërejtur gjatë kohëve të fundit. Duke iu referuar pikërisht tragjedisë së Gërdecit, protestuesit, por edhe ata që kanë përshëndetur këtë takim, kanë akuzuar qeverinë si të paaftë për të siguruar jo vetëm mirëqenie për qytetarët e vet, por as siguri të jetës së tyre, si e drejta më minimale për çdo individ që pretendon se jeton në një vend që pritet të bëhet anëtar i familjes së madhe të Atlantikut të Veriut. "Shpëto një jetë, jep dorëheqjen", "Populli vendosi, duhet të ikësh", "Ik se ta paguajmë ne biletën", "Historia të dënon si vrasës", "Diktatori i fundit në Evropë duhet të bjerë", "Kamikazë me imunitet", "Ti je turpi ynë kombëtar", ishin disa nga sloganet e stampuara në pankartat që protestuesit i drejtonin kreut të qeverisë, Sali Berisha. Nuk kanë munguar në këtë protestë as thirrjet në kor "Berisha ik" apo "Jo Berishës". Më pas turma e protestuesve kanë vijuar itinerarin e përcaktuar më parë duke marshuar përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku kanë parakaluar përpara Kryeministrisë, Presidencës dhe për të përfunduar në sheshin "Nënë Tereza".

Rama e ka cilësuar kryeministrin Berisha si pjesë e politikës që ka mbetur peng i korrupsionit shtetëror

Rama: Qeverisja, e paaftë dhe e korruptuar

TIRANË- Një moment gëzimi për ftesën që Shqipëria mori për t'u anëtarësuar në NATO, por edhe një moment kur shqiptarët duhet të kërkojnë largimin e Berishës për të garantuar një të ardhme të sigurt. Kështu e ka përkufizuar kreu socialist Edi Rama mitingun e djeshëm në sheshin "Skënderbej" të organizuar nga Partia Socialiste. Duke përshëndetur mijëra qytetarë që kishin mbushur sheshin, kreu i PS-së kërkoi të bëjë të qartë në fjalën e tij se marrja e ftesës për NATO është një detyrim më shumë për politikën shqiptare në përgjithësi, por për opozitën në veçanti, që të kërkojë realizimin e atyre reformave, pa të cilat anëtarësimi i plotë në strukturat Euroatlantike do të bëhej i pamundur. Por këto reforma, sipas tij, nuk mund të realizohen me Berishën kryeministër, prandaj, ka bërë të ditur ai, është momenti që qytetarët të kërkojnë largimin e tij. "Për politikën e qytetarëve, një orë e mirë si kjo, është ora më e mirë për t'u gëzuar së bashku për të sotmen dhe për t'u mbledhur së bashku për të ardhmen. Duke manifestuar kënaqësinë tonë të veçantë për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe shqetësimin tonë legjitim për të nesërmen e kompromentuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit, që është bërë palca e qeverisjes së sotme", - u shpreh Rama. Tragjedia e Gërdecit, sipas Ramës, ishte kulmi i një seri ngjarjesh që në jetën e shqiptarëve kanë ndodhur çdo ditë, duke rrezikuar dhe marrë jetë njerëzish të pafajshëm, si në rrugë, punë, festa etj. Prandaj,- ka këmbëngulur kryesocialisti, ditët e ardhshme duhet të jenë një moment impenjimi për të gjithë, për t'i thënë ndal korrupsionit që është kthyer në një rrezik për qytetarët, siç ishte dhe rasti i Gërdecit. "Mes nesh dhe së ardhmes që dëshirojmë për fëmijët tanë, qëndron politika e vjetër e së shkuarës dhe një Kryeministër, i cili do t'i kishte dhënë dinjitet qeverisë së shqiptarëve në këtë moment historik për të gjithë ata, duke u larguar pas dështimit shpërthyes të qeverisjes së tij, pikërisht në emër të standardeve të reja politike e morale që meriton sot Shqipëria e populli i saj", - tha Rama. Gjithashtu. Rama nuk ka nguruar ta cilësojë edhe një herë kryeministrin Berisha si pjesë e politikës që ka mbetur peng i korrupsionit shtetëror. Sipas shefit të selisë rozë, Kryeministri është përgjegjës jo vetëm për veprimet dhe mosveprimet e tij në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, por është me faj edhe për shkak të paaftësisë së tij për të drejtuar. "Kryeministri ynë, ashtu si krejt qenia e politikës së vjetër që jeton me papërgjegjshmëri, punon me paaftësi e ushqehet me korrupsion, nuk di të heqë dorë e nuk ka fuqi të tërhiqet, sepse standardet politike e morale që Shqipëria kërkon sot, janë të papranueshme në botën ku ai ka mbetur peng. Ky është problemi dhe turpi i tij në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që u tronditën nga shpërthimi i vullkanit të korrupsionit", - theksoi kryesocialisti.

Mehdi Pogaçe u shpreh se Gërdeci ishte pasojë e korrupsionit që ka përfshirë edhe Ushtrinë Shqiptare

Ushtarakët në rezervë: Berisha të largohet

TIRANË- Dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha e kanë kërkuar dje edhe ushtarakët në rezervë. Me qindra oficerë të dalë në rezervë dhe pension të parakohshëm i janë bashkuar opozitës në protestë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për pensionet suplementare. Duke përshëndetur protestën, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Pension, Mehdi Pogaçe, duke sjellë në vëmendje të opinionit publik faktin se qeveria nuk pranon ende të zbatojë vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, ka kërkuar largimin e kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, kreu i qeverisë është përgjegjës jo vetëm për moszgjidhjen e problemit të tyre, por edhe për papunësinë, sigurinë e munguar të jetës, apo edhe për shumë problem të tjera që shoqërojnë sot kudo qytetarët shqiptarë. "Ndërsa Shqipërisë i jepet e drejta për të qenë pjesë e NATO-s, ushtarakëve në rezervë dhe pension, politika e vjetër që qeveris Shqipërinë, jo vetëm që ua mohon këtë kontribut, por ajo nuk njeh as përgjegjësitë ligjore dhe detyrimet kushtetuese ndaj kësaj kategorie. Ne jemi në këtë manifestim të madh, sepse besojmë se e vetmja shpresë dhe garanci është një politikë e re që duhet të na ndajë një herë e mirë me politikën e vjetër që vazhdon të na qeverisë. Ja pse kemi kërkuar dhe kërkojmë sot më fort se kurrë dorëheqjen e kryeministrit Berisha, si një kërkesë jo vetëm e ushtarakëve në rezervë dhe në pension, por si një kërkesë që e kërkon koha, në emër të një morali të ri", - tha Pogaçe. Ndërsa duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, ai, edhe në cilësinë e një ushtaraku, ka theksuar se ajo ishte pasojë e korrupsionit që ka përfshirë edhe Ushtrinë Shqiptare. "Tragjedia e Gërdecit nuk ishte një tragjedi natyrore por ishte rezultat i rënies së Ushtrisë në kthetrat e një politike të vjetër, të paaftë dhe korruptuar e cila duhet të ndryshojë përmes institucionit të votës së lirë",- tha kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Pension, Mehdi Pogaçe.

Të mbijetuarit e Gërdecit, në protestën e opozitës

TIRANË- Mes dhimbjes për njerëzit e humbur dhe nevojës për normalizimin e jetës së tyre, të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit i janë shtuar zërit opozitar për të kërkuar largimin e kreut të qeverisë Sali Berisha si i paaftë, jo vetëm për të parandaluar këtë krim, por edhe për të menaxhuar situatën pas shpërthimit. Të organizuar në shoqatën "Mbi tragjedinë e Gërdecit", banorët e prekur nga kjo ngjarje kanë protestuar dje përkrah partive opozitare, duke theksuar se qeverisja e sotme nuk është në gjendje që t'i kthejë kësaj zone normalitetin e mëparshëm. Duke përshëndetur mitingun, kreu i kësaj shoqate, Gëzim Gjoni, është shprehur se banorët e zonës së prekur nga shpërthimi nuk do të reshtin së protestuari në mbrojtje të interesave të tyre. "Jam një nga të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, jam gjithashtu një nga nismëtarët e krijimit të shoqatës "Mbi tragjedinë e Gërdecit". Shoqata jonë ngrihet për të kujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën atje, për të respektuar ata që mbijetuan nga kjo tragjedi dhe për të mbrojtur të drejtat e atyre që kanë humbur pronat dhe shtëpitë e tyre në këtë ngjarje. Ne do të insistojmë si shoqatë që qeveria shqiptare të kompensojë deri në qindarkën e fundit, të gjithë të dëmtuarit e kësaj treve",- tha kreu i Shoqatës "Mbi tragjedinë e Gërdecit", Gëzim Gjoni. Gjithashtu ai ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si qeveria po kërkon të vlerësojë demet e shkaktuara nga shpërthimi. Ndërkohë që në këtë takim-proteste ka përshëndetur edhe një i ri, cili kishte humbur të dy prindërit në këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›