E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi kinematografik 2012!?

Filmi sigurisht nuk është arti i vetëm i cili ndikon në sistemin e vlerave, mirëpo, ky është art i cili gjithsesi ndikon në ndryshimin e sistemit të vlerësimit. Kjo në një formë do të thotë se ndikimi kinematografik mund të jetë pozitiv apo negativ! Mirëpo, në ditët e sotme kur në vazhdimësi ka tendenca që të përcaktohet intensiteti dhe drejtimi pozitiv i zhvillimit kinematografik, mungon interaksioni në mes të institucionit zyrtar kinematografik dhe një sistemi të vlerave. Në ditët e sotme të një ‘suksesi kinematografik’ në nivelin regjional, çdo gjë përbëhet në përcaktimin e kriteriumeve për evaluimin e vlerave!

Mirëpo, në rrethanat tona lokale, Fatos Berisha dhe Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike vetëm për 365 ditë funksionimi po shndërrohen në një institucion të gjallë mediokriteti dhe mashtrimi! Ky institucion i rëndësishëm shteti në ditët e sotme si duket nuk e kupton se detyra themelore e tyre është të krijojë kushte pozitive rreth kreatorëve e intelektualëve kinematografikë, e jo të përkrahet surrogati e plagjiati në emër të ligjit! Ky institucion në ditët e sotme po dëshmon se nuk ka orientim themelor programor, identitet, kualitet vlerësimi dhe selektimi, nuk ka vizione si mund të organizohet procesi i prodhimit në kompani individuale dhe çfarë marrëdhënie mund të krijohen në kulturën dhe tregun kinematografik.

Në këtë edicion edhe vendimet e Fatos Berishës në lidhje me emërimin e jurisë vlerësuese, ‘ilegjitime’ me këtë formacion, për shkak të konfliktit të interesave, mirëpo edhe veprimet inerte të këshillit drejtues të QKK-së, i cili nuk konstaton mangësi në këtë drejtim, e cila përndryshe do duhej të anulonte vendimin e jurisë vlerësuese dhe anëtarin e kontestuar (Ilire Vinca) ta largonte nga përbërja, duke e zëvendësuar atë me një person të tretë. Sipas nenit 43/6/b, është shumë e qartë se nuk mund të emërohet (përgjegjësi e Fatos Berishës) e nuk mund të mbetet personi (përgjegjësi e këshillit drejtues) një anëtar i jurisë vlerësuese, i cili është në lidhje të afërta familjare ose në lidhje bashkëshortore me paraqitësin e projektit konkurrues/me autorin e skenarit (Arben Kastrati).

Sipas nenit 43/7, poashtu thuhet se anëtarët e jurisë vlerësuese paraprakisht njoftohen me pengesat për të qenë (loja me autoritet e keqpërdorur nga Fatos Berisha) apo për të mbetur anëtarë të jurisë (koordinimi në raportin Fatos Berisha & Këshilli Drejtues, për të mbetur apo përkrahur emrat e caktuar). Neni 38/1 poashtu është shumë i qartë në këtë drejtim: ”…nëse konstatohet se në përbërjen e jurisë vlerësuese ka ndodhur të jetë personi që nuk mund të bëhej a mbetej anëtar i jurisë, atëherë këshilli drejtues e anulon vendimin e jurisë e shkarkon dhe e largon nga juria anëtarin e tillë…”

Neni 38/2 përndryshe korrespondon shumë me situatën aktuale në të cilën gjendemi: “nëse pas vendimit për subvencionimin e projektit konstatohet një rast si në paragrafin e mësipërm, atëherë vendimi i jurisë për përzgjedhjen e projektit dhe i këshillit drejtues për subvencionimin e projektit do të anulohen me fuqi prapavepruese.” Përndryshe projektet e metrazhit të gjatë e autorët që do të përkrahen nga organet drejtuese dhe kjo juri e manipuluar me qëllim të caktuar (unë poashtu kam emrat e katër anëtarëve të jurisë të rezervuar për këtë destinim) me të vërtetë janë joserioze dhe simbolike në shkallëzim. Projekti “Mbretëria e Therrave” me skenar të Anton Ndrecaj dhe me regji të Zana Rodogoshit (e specializuar në DVD-produksione) e poashtu regji të Anton Ndrecaj (gazetar&prozator). Projekti “Ngasësi” me skenar të Arben Kastratit (aktor-në marrëdhënie familjare me Ilire Vincën) dhe regji të Valter Lucaj

(i specializuar në seri televizive), Zana dhe Valteri, fatkeqësisht, janë përfaqësues tipik të antikulturës dhe kulturës masovike televizive. Normalisht, unë nuk isha në gjendje të paraqes ankesë në Ministrinë e Kulturës në kohë prej 8-ditësh, për shkak se në këtë kohë isha përjashta Kosove në pushime vjetore. Ky është një shkak pse vendimet e tilla sipas ligjit duhen të sjellën në pranverë e jo në sezonin veror. Mirëpo, ankesa ime është publike, ajo i dedikohet secilit i cili është në gjendje të lexojë gazetat tona ditore, ajo i dedikohet secilit i cili përkrah progresin dhe zhvillimin kinematografik në Kosovë, ajo i dedikohet secilit i cili kundërshton manipulimin me buxhet publik e në emër të një institucioni shtetëror. Unë i bëj thirrje publike ministrit të kulturës, Memli Krasniqi, ta refuzojë këtë vendim ilegjitim dhe amoral nga strukturat interne të QKK-së dhe çdo gjë duhet të rikthehet në zero! Sa më kujtohet, Ministria e Kulturës ka obligim që në vazhdimësi të mbikëqyrë ligjshmërinë e veprimtarisë së QKK-së, apo jo? Fatos Berisha për vetëm 365 ditë po shndërrohet në një model të vërtetë mashtruesi dhe manipulatori edhe pse pas vete nuk ka asnjë film të metrazhit të gjatë të realizuar në këtë funksion dhe shumë e shumë obligime të papërmbushura nga kompani të ndryshme filmi nga viti 2011.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›