E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësohet lart figura e komandantit Sali Çekaj

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”, nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, u mbajt akademi përkujtimore për komandantin Sali Çekaj, me ç’rast u shënua edhe dita e Betejës së Koshares. Folësit në këtë akademi, vlerësuan lart figurën e Sali Çekajt, si një prej heronjve të rrallë, që kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e ka shtrirë në disa dekada.

Komandanti, Sali Çekaj ishte një figurë emblematike dhe unifikuese, për lirinë e Kosovës, ndërsa liria ishte cak i jetës dhe veprës së tij, u tha në akademinë përkujtimore për Sali Çekajn, e cila organizohet në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.

Duke folur në emër të Qeverisë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tha se liria është vlerë universale dhe kjo më së miri u dëshmua në betejën e Koshares, e cila i bashkoi të gjithë shqiptarët nën një flamur.

“Kjo betejë u udhëhoq nga komandantë vizionarë e strategë, siç ishte Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu dhe Sali Çekaj. Gjithë jeta dhe vepra e shumanshme e Sali Çekaj pati në busulle drejtësinë, kurse për cak pati lirinë. Ai u udhëhoq nga parimet e lirisë dhe drejtësisë dhe lirisë në gjithë udhëtimin e tij historik dhe në gjithë periudhat e angazhimit të tij”, citon rtk Çekun.

Në emër të ish Brigadës 138 “Agim Ramadani” foli Hysen Berisha. Ai tha se Sali Çekaj është prej të rrallëve që do të kujtohen në karvanin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Sali Çekaj nuk do të jetë i gjallë vetëm në lapidare e buste e këngë rapsodike. Ai do të jetë i gjallë në çdo pjesë të jetës së shtetit tonë për të cilin dha jetën, në kujtimin tonë për të kaluarën dhe në vizionin tonë për të ardhmen”, tha ai.

Të pranishmit në akademi i përshëndeti Hysen Çekaj, djali i heroit të Kosovës, Sali Çekaj. Ai tha se manifestimi “Ditët e Shqipes” që tashmë është bërë tradicional, ngërthen në vete më shumë se një simbolikë.

“Ngërthen në vete jo vetëm simbolikën e një ngjarje të madhe sikur që është Beteja e Koshares, por edhe kujtimet për ata që tërë jetën punuan e vepruan deri në sakrificën sublime për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, tha Çekaj.

Akademia u mbajt nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, mirëpo për shkak se gjendjet në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, ai nuk ka mundur të jetë i pranishëm. Por gjithsesi, ministri i FSK-së, Agim Çeku ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të bërë gjithçka që kategorive të luftës t’u krijojë kushte për jetë më të dinjitetshme. Ai tha se këto kategori do ta kenë gjithmonë kujdesin shtetëror./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›