Vllasi: GJND nuk do të ketë pasoja për Kosovën
Ish-udhëheqësi kosovar, Azem Vllasi, emri i të cilit është më i lakuari për postin e ambasadorit të Kosovës në Mal të Zi, ka thënë se ky shtet fqinj nuk do të presë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Në një intervistë dhënë për gazetën "Alo", Vllasi ka refuzuar të komentojë nëse ai do të jetë ambasador i Kosovës në Mal të Zi, duke thënë se nuk dëshiron të prishë praktikën diplomatike në këtë drejtim. Përsa i përket procesit gjyqësor që zhvillohet në Hagë rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Vllasi ka thënë se vendimi i këtij gjyqi nuk do të ketë asnjë lloj pasojash faktike për vendin. Ai u shpreh i bindur se asnjë shtet nuk do të tërheqë njohjen e Kosovës, duke shtuar se do të ketë edhe njohje të tjera të Kosovës, pasi sipas tij, në diskutimet aktuale në GJND, argumentimi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë ka qenë shumë më i fuqishëm nga ai që paraqet pala serbe.