E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Dinamo, pritet shkëmbimi Beqiri-Pisha

Futbollisti elbasanas nuk ka firmosur ende me skuadrën e Dinamos, çka do të thotë se “kartat” janë të hapura në tavolinë dhe lojtari mund të lëvizë në momentet e fundit nga kampi dinamovit.

Për ta forcuar këtë ide mendojnë edhe burime të sigurta pranë presidencës blu, të cilat pohojnë se kapiteni i Dinamos mund të lihet i lirë për t’iu bashkuar skuadrës së Vllaznisë. Udhëtimi i shkodranëve drejt Mavrovës është një tjetër fakt më nxitës, që konfirmon firmën e Pishës te skuadra e Vllaznisë.

Ndërkohë, presidenca dinamovite, pasi ka lënë të lirë mesfushorin Artion Poçi, një nga lojtarët më të mirë të Dinamos në këto vitet e fundit, duket se nuk heziton të bëjë një tjetër lëvizje që mbase më vonë mund të këtë një shije “të hidhur” për ta. Gjithsesi, afrimi i shumë lojtarëve të tjerë në qendër të mbrojtjes, por edhe konfirmimi edhe pse nën zë i drejtuesve blu, janë “shkëndija” të një largimi të mundshëm të Pishës drejt skuadrës së Vllaznisë.

Në qendër të mbrojtjes Dinamo ka disa lojtarë cilësorë, por kurrsesi me eksperiencën e Pishës, si Malota, Malakarne, E. Xhafa, dhe të tjerë. Por tratativa duket se nuk do të mbyllet këtu. “Asi nën mëngë” i dinamovitëve është mbrojtësi shkodran Elvin Beqiri, i cili pasi nuk ka rënë dakord me skuadrën franceze Boulunge, tashmë mund të bëjë një “rokadë” me Pishën te Dinamo, por në valle për të duket se janë dhe 24 herë kampionët e Tiranës.

Gjërat do të zbardhen vetëm gjatë ditëve në vazhdim, por sipas gjasave, duke parë insistimin e presidentit Valter Fushaj, për ta pasur në shërbimet e skuadrës së tij Arian Pishën, por edhe burimet konfidenciale të drejtuesve blu, që pohojnë se mund të lihet i lirë, me shumë mundësi Pisha në miqësoren që mund të luhet në Mavrovë ndaj Vllaznisë, mund ta ndërrojë fanellën blu me atë kuqeblu të shkodranëve.

/s.sh./start/

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›