E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia barazon 4-4 me Shkumbinin në "Loro Boriçi"

SHKODËR- Vllaznia dhe Shkumbini e mbyllën në barazim 4 me 4 ndeshjen e luajtur sot pasdite në stadiumin "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës. 90-të minutat e këtij takimi ishin të vlefshme për javën e fundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, dhe ky barazim i marrë në fushën e shkodranëve i ka vlejtur skuadrës mike, Shkumbinit, të sigurtojë qëndrimin në kategorinë e Superligës së futbollit shqiptar.

Pjesa e parë e kësaj ndeshje ka përfunduar në barazim 1 me 1, me autor të golave, Gjinin për kuqeblutë e Vllaznisë në minutën e 30-të dhe Shenaj dy minuta më pas. Ndërkohë, pjesa e dytë ka dhuruar edhe 6 gola të tjerë, 3 në portën e Shkumbinit dhe 3 në atë të Vllaznisë. Kruja, Mujeci dhe Erkoçeviç kanë shënaur për kuqeblutë, përkatësisht në minutat 75, 80 dhe 90, ndërsa 3 golat për miqtë nga Peqini mbajnë të njëjtin emër, Dervishin, përkatësisht në minutat 78, 84 me penallti dhe 93. Edhe pse golat në një ndeshje futbolli janë ato që i japin emocion takimit, shënimi i njëpasnjëshëm i tetë golave në stadiumin "Loro Boriçi", nuk ka lënë një shije të mirë në ato pak tifozë që ishin të pranishëm. Reagimi i tyre ka qënë i drejtpërdrejt ndaj drejtuesve të të dy klubeve që kishin zënë vend në tribunën VIP, duke i akuzuar ato për kompromis në fiksimin e rezultatit të krejt takimit.

Barazimi 4 me 4 ka shpëtuar miqtë për të mos zbritur nga kategoria Superiore, ndërkohë që 3 golat e shënuar nga Dervishi e kanë ngritur atë në kuotën e 20 golave në këtë kampioant, duke e shpallur atë edhe golashënuesin më të mirë të Superligës, me një gol më tepër se Bakiu i Tomorit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›