PS: Të caktohet kufiri detar me Greqinë

Komisioni i sigurise
Kreu i Grupit të PS propozon ndryshimin e ligjit për kufijtë. Drafti, pas rrëzimit të paktit me Greqinë.
Ujërat tona territoriale, me një gjerësi prej 12 miljesh detare
Partia Socialiste propozon në Kuvend miratimin e një dispozite ligjore për caktimin e kufirit detar me vendet fqinje. Drafti i firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar, Gramor Ruçi, ka hyrë tashmë në procedurë parlamentare dhe do të diskutohet në komisione përpara se të kalojë për votim në seancën parlamentare. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i Marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar ka bërë, sipas opozitës, që dy vendet të mos kenë një vijë të përcaktuar. Për këtë qëllim, PS-ja ka propozuar që në nenin 3 të ligjit të miratuar nga qeveria në vitin 2008, të bëhet një ndryshim, në të cilin thuhet se: Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjatësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi). Në relacionin e Grupit Parlamentar socialist thuhet se në ligjin e miratuar katër vjet më parë nuk ka asnjë nen që lidhet me ujërat territorialë. Sipas PS-së, me shfuqizimin e ligjit nr. 8771 të vitit 2001 në tërësi dhe në mënyrë të veçantë shfuqizimin e nenit 3 të tij, Shqipëria ka humbur vijën ndarëse të ujërave territoriale, koordinatat e së cilës përcaktoheshin nga ky nen. Me përcaktimin e dhënë në nenin 3 të ligjit 9861, të vitit 2008, kufiri shtetëror përcaktohet me marrëveshje, të cilat ratifikohen nga Kuvendi apo me traktate dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera, thuhet në relacionin e PS-së. Në pikën 3 të draftit të propozuar nga PS-ja thuhet se ujërat e brendshme territoriale të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë.
Propozimi i PS
Neni 3 ishte
Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Kuvendi, si dhe të traktateve, dypalëshe ose shumëpalëshe, të lidhura me vendet e tjera.Neni 3 bëhet
1. Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar, si dhe të traktateve dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera dhe të ratifikuara nga Kuvendi.
2. Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjatësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës) derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjatësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).
3. Ujërat e brendshme territoriale të Republikës së Shqipërisë janë ujërat e detit Adriatik dhe të detit Jon, që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e lumit të Bunës, kepat e përmendur në pikën 2 të këtij neni dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve e lumenjve kufitarë.
Rrëzimi i paktit me Greqinë
Gjykata Kushtetuese rrëzoi në janar të vitit 2010 Marrëveshjen e firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Për këtë vendim, të gjithë anëtarët e Kushtetueses kanë votuar pro. Arsyet e këtij vendimi ishin: anashkalimi i Presidentit; mangësi në përmbajtjen e marrëveshjes; titulli i marrëveshjes është i paqartë; moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave.
Gjoni: Të ndryshojë ligji i qeverisë
Pak javë më parë, nënkryetari i PS-së në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni, tha: Të ndërhyhet sa më shpejt të jetë e mundur për të bërë disa klauzola tranzitore në ligjin e 2008-s dhe ndërkohë të punohet me urgjencë për të hartuar një ligj të ri përsa i përket përcaktimit të kufijve detarë, të cilët janë përcaktuar që më 1925-n me Protokollin e Firences.
Balla padit Pollon për tenderin e internetit
Taulant Balla
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka paditur në prokurori ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, duke e akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderin për ndërtimin e rrjetit kombëtar të internetit me shpejtësi të lartë. Sipas Ballës, ministri Pollo, pasi ka zhvilluar tenderin e shtyrë disa herë, me një urdhër të datës 29 shkurt të këtij viti, ka mbyllur procedurat për të realizuar qëllimisht dështimin e tenderit. Nga ana e tij Pollo ka reaguar përmes një deklarate për mediat, duke thënë se deputeti Balla kaloi sërish nga rruga e Prokurorisë për të hedhur gurin e radhës në pus. Fakti që gara koncesionare në fjalë u mbyll pa fitues, për shkak se u paraqit vetëm një kompani, oferta e se cilës u gjykua jo e pranueshme, përjashton apriori çdo aludim për abuzim. Por Balla, Rama e të tjerë duket se vazhdojnë shërbimet, tanimë part time, ndaj afaristëve, të cilët kërkojnë nga shteti diçka që nuk u përket pasi është e kundërligjshme.
