E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venger: Fabregas dhe Uajshir nuk largohen

Trajneri francez nuk dëshiron të privohet nga dy xhevahirët e tij që kanë shumë merkato në kontinent.

Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, është i bindur se ai nuk do të lejojë të largohet dyshen e mesfushës, Xhek Uajlshir dhe Çesk Fabregas, përveç nëse klubi i lejon. “Topçinjtë” po kalojnë periudhën më të dobët të sezonit me vetëm një fitore kundër Blekpul rreth një muaji më parë, ndërsa të dielën u mposhtën edhe nga Boltoni duke i thënë lamtumirë garës për titull. Me edhe një sezon pa trofe, spekulimet për një largim të Çesk Fabregas drejt Barcelonës janë shtuar, derisa edhe Uajlshir raportohet se është në listën e disa klubeve të mëdha, përfshirë Mançester Sitin. “Kur nënshkruhet një kontratë për katër ose pesë vite, jeni të përkushtuar që gjatë kontratës tuaj të fitoni trofe me klubin me të cilin nënshkruani. Nuk ka asnjë opsion në kontratë se nëse nuk fitohet një trofe në vitin e parë, lojtarët mund të largohen. Askush nuk u thotë atyre të presin. Ne mund të fitojmë menjëherë. Ju (mediat) flisni sikur lojtarët nuk janë të përgjegjshëm për të fituar trofe. Ata po ashtu janë përgjegjës, siç jam edhe unë dhe fansat. Pse mendoni se i paguajmë lojtarët? Një klub, një ekip futbolli, është bashkësia në mes të menaxherit, lojtarëve, klubit, filozofisë. Është gjë tjetër të thuash, ‘Nëse ju nuk fitoni, unë shkoj’. Pse duhet ta shesim Fabregasin? Ne kemi ndërtuar një ekip përreth Çeskut dhe tani kemi edhe Xhek Uajlshir,” ka thënë Venger. Ndërkohë, francezi ka folur dhe për kampionatin. Ai ka pranuar se shanset e Arsenalit për të fituar titullin e katërt nën menaxhimin e tij këtë vit janë ‘shumë minimale’ pas disfatës ndaj Boltonit. “Është vështirë të humbasësh një ndeshje si ajo. Ne ishim në disavantazh 1-0 dhe kishim shanse ta fitonim, por fatkeqësisht nuk mundëm. Do të duhet të luftojmë sa më shumë që mundemi deri në ndeshjen e fundit, dhe sigurisht shanset janë shumë minimale tani”, ka thënë Venger.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›