E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, humbja e paralajmëruarNë tre edicionet e fundit, ku Vllaznia ka mundur të kalojë në turin e dytë, skuadra shkodrane ka pësuar një “thes” me gola, 26 te tille, madje pa mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vockël

Pas humbjes 5-0 në Vjenë, Vllaznia humbi 3-0 ndeshjen e kthimit me Rapidin e Vjenës, në takimin e vlefshëm për turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, duke u eliminuar me turp nga ky kompeticion.

Golat për formacionin austriak të drejtuar nga Peter Pacult, u realizuan të tre në pjesën e dytë: Hofman (66’ dhe 93’), Lauari (76’).

Trajneri Hasan Lika pati në fushë një skuadër më shumë në variantin “B”. Mesfusha dhe sulmi i Vllaznisë ishte në një ditë të errët.

Trajneri Hasan Lika pranoi pas ndeshjes se “bëmë aq sa mundëm”: “Kaq ishin mundësitë tona. Ne nuk kishim më shpresa për kualifikim. Diferencat në fushë ishin të mëdha. Nuk mund të pretendojmë më shumë”.

Trajneri i Rapidit të Vjenës, Pacult: “Skuadra zhvilloi një lojë mjaft të mirë. Tani duhet të mendojmë për kundërshtarin e radhës”.

Kapiteni zyrtar i Vllaznisë, Vioresin Sinani, mungoi për shkak të pezullimit nga UEFA, ndërkohë që në fushë kapiten ishte Elvin Beqiri, ashtu si në ndeshjen e parë në Austri.

Një “thes” me gola

Në tre edicionet e fundit, ku Vllaznia ka mundur të kalojë në turin e dytë, skuadra shkodrane ka pësuar një “thes” me gola, 26 te tille, madje pa mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vockël: humbi 0-10 në rezultatin e përgjithshëm me turqit e Trabzonsporit (Kupa Intertoto, 2007, 6-0 në Turqi, 0-4 në Shkodër) dhe 0-8 me italianët e Napolit (Kupa UEFA, 2008, 0-3 në Shkodër, 5-0 në Napoli) dhe tani me austriakët e Rapidit të Vjenës me rezultatin e përgjithshëm 0-8 (Liga e Europës, 5-0 në Vjenë, 3-0 në Shkodër).

E Premte, 24 Korrik 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›