E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia kampione e dimrit, Sinani mbret i golitNë javën e 17-të Vllaznia do të presë në shtëpi kampionen në fuqi, Dinamon, me të cilën ka rastin të përballet edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë vitin e ardhshëm

Java e 16-të e Kategorisë Superiore ishte tërësisht e Vllaznisë. Fitore në transfertë kundër Bylisit (1-2); kampione e dimrit e Superligës, +7 pikë diferencë ndaj Tiranës; Vioresin Sinani i vetëm në klasifikimin e golashënuesve me 8 gola, 1 më shumë se Migen Memelli e Sebino Plaku.

Edhe një herë tjetër Agim Canaj dëshmoi se është në ndër trajnerët më të mirë të Shqipërisë, madje duke sfiduar në Ballsh një teknik kampion me Vllazninë, si shkodrani i mirënjohur Hysen Dedja.

Edhe pse pjesa e parë prodhoi emocione në “Adush Muça”, fraksioni i dytë i shijoi golat. Vioresin Sinani, tri herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (2-herë me Vllazninë e 1-herë me Tiranën) “vodhi” një gol në minutën e 47-të, për t’ia lënë radhën një ish-lojtari të Vllaznisë, futbollistit të Bylisit, Maringlen Kapaj, të përjetonte hidhur kënaqësinë e një goli, por në portën e tij pas vetëm pesë minutash. Minuta e 52-të dhe Vllaznia kryesoi 2-0.

Ndeshja duket praktikisht e mbyllur, ndërkohë që lajmet nga Vlora, teksa Flamurtari udhëhiqte ndaj Tiranës, entuzismuan jo vetëm bankinën e 9-herë kampioneve të Shqipërisë, por dhe presidentin Valter Fushaj, i cili pas fitimit të Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, dëshiron të ketë në “muzeun” e sukseseve të tij dhe trofeun e kampionatit të 70-të.

Goli i shënuar nga afrikani i Bylisit, Kabore Moussa, në minutën e 87-të vetëm sa shkurtoi diferencën e ndeshjes së mbyllur me fitoren e merituar të Vllaznisë.

Kjo ishte dhe fitorja e 9-të e Vllaznisë në 15 ndeshje historike me Bylisin (4 fitore), ndërkohë që goli i Sinanit e autogoli i Kapajt, e çuan në 30-të numrin e golave të shkodranëve kundrejt 14 të Bylisit

Në javën e 17-të Vllaznia do të presë në shtëpi kampionen në fuqi, Dinamon, me të cilën ka rastin të përballet edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë vitin e ardhshëm.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 16

E diel, 21.12.2008

Bylis-Vllaznia 1-2
Shkumbini-Elbasani 2-1
Dinamo-Lushnja 1-0
Flamurtari-Tirana 2-0

E shtunë, 20.12.2008

Apolonia-Partizani     3-1
Teuta-Besa         0-1

E Diele, 21 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›