E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vllaznia kërkon fitoren në Ballsh

Vllaznia udhëton në Ballsh me misionin për të marrë fitoren. Këtë e pranon edhe portieri gjerman, Leon Pëls, i cili do të mbrojë portën e kuqebluve në këtë transfertë të rëndësishme. Ai ka pranuar se do të bëjë gjithçka që të mbrojë portën e paprekur dhe të ndihmojë skuadrën të marrë tri pikët.

Vllaznia luan një transfertë të rëndësishme të shtunën, teksa udhëton drejt Ballshit. Trajneri Edi Martini ia ka besuar portën për të këtë sfidë, gjermanit Leon Pëls. 28 vjeçari pranon se për të, transferta në ballsh është një eksperiencë e re.

“Eshtë një eksperiencë e re për mua. Nuk kam luajtur më parë në Ballsh. Kam dëgjuar që është një fushë e vështirë. Jemi përgatitur psikologjikisht në stërvitje për këtë ndeshje dhe shkojmë për të fituar”.

Pëls pranon se në skuadrën e tij të gjithë kanë uri për të fituar.

“Në ekip ka mjaft uri për të luajtur dhe fituar. Kemi patur disa probleme me dëmtimet por trajneri bashkë me drejtorin kanë ndërtuar një ekip që ka lojtarë të mirë zëvendësues në çdo pozicion dhe çdokush është i aftë për të luajtur në formacion për këtë sfidë. Ne kemi kualitete dhe besojmë te fitorja në Ballsh. Futbolli është lojë kolektive dhe të gjithë duam tri pikët. Pushimi na ndihmoi të fokusohemi më shumë në stërvitje për t’i dhënë kohë gjithsecilit për t’u foksuuar në detyrat e tij”.

28 vjeçari gjerman tregon edhe për këtë eksperiencë të tij të re te Vllaznia dhe sidomos përshtatjen me klimën.

“Kam 3 muaj këtu. Jam përshtatur mjaft mirë me ekipin, po ashtu edhe me klimën këtu. Besoj se shumë shpejt do të ftohet koha dhe do përshtatem më  mirë me temeperaturat më të ulëta që jam mësuar të luaj unë. Ndaj Bylisit, trajneri ma ka besuar mua të luaj në portë dhe do të jap maksimumin për ta mbajtur të paprekur si dhe të ndihmoj skuadrën për të marrë tri pikët”.

Bylis – Vllaznia luhet të shtunën në orën 14.00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›