E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia në kor: Në Vjenë, për të tentuar surprizën

Kjo përbën një sukses për këtë skuadër, e cila në këtë mënyrë po përfaqëson në mënyrën më dinjitoze të mundshme futbollin shqiptar.
Tashmë Vllaznia do të sjellë për të tretën herë radhazi në Shkodër një skuadër të njohur. Pas Trabzonsporit dhe Napolit, tashmë është radha e Rapidit të Vjenës.

Presidenti Fushaj shpreson se skuadra e tij do paraqitet denjësisht dhe për këtë gjë është duke bërë të gjitha përpjekjet për ta përforcuar skuadrën para ndeshjes së parë në Vjenë. “Shpresoj të marrim ndonjë lojtar në formë huazimi apo të kemi ndonjë blerje dhe pastaj do të tentojmë të bëjmë më të mirën ndaj Rapidit. E dimë që do të jetë e vështirë, por kemi edhe ne shanset tona dhe do të bëjmë më të mirën, pse jo edhe ndonjë surprizë të mundshme”, ka thënë numri një i klubit shkodran.

Edhe trajneri Lika mendon se ndaj Rapidit tani duhet tjetër melodi dhe prandaj deklaron: “Sligo dhe Rapidi janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Skuadra austriake është shumë më e fortë dhe prandaj për të duhen bërë llogaritë ndryshe. Gjatë këtyre ditëve do të bëjmë më të mirën e mundshme për t’u përgatitur, por njëkohësisht ajo që po u kërkoj futbollistëve gjatë këtyre ditëve është të kenë më shumë optimizëm. Nuk i dihet, futboll është, s’ka pse të mos bëjmë punën tonë deri në fund.”
Ndonëse ka folur kështu, në fakt Lika e ka të qartë se nuk do të jetë aspak e lehtë. Mungojnë të sigurt për arsye kartonësh e skualifikimi Grima e Sinani, ndërkohë që janë në dyshim për dëmtime Beqiri e Osja. Pa katër titullarë gjërat vështirësohen edhe më tepër, por sytë janë edhe nga merkatoja. Mund të vijë ndonjë lojtar tjetër dhe gjërat mund të rregullohen disi. Por sërish jemi shumë larg kundërshtarit austriak.

Ata dinë gjithçka për Vllazninë, e njohin lojën e saj deri në detaje tashmë, sepse i kanë ndjekur të dy takimet e luajtura ndaj irlandezëve, ndërsa Lika dhe stafi i tij nuk di asgjë për Rapidin. Diferencë e madhe kjo, megjithatë shkodranët do të tentojnë mrekullinë, kalimin edhe të turit të dytë të Kupave të Europës, atë që nuk e ka bërë askush deri më tani.

Start/sportishqiptar

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›