Vllaznia shkarkon trajnerin, Nikola Milatoviç

Nikola Milatoviç nuk është më trajneri i skuadrës së basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Një gjë e tillë është bërë e ditur të mërkurën pasdite, nëpërmjet një njoftimi të shkurtër të kuqevbluve të koshit në profilet e tyre në rrjetet sociale. “Klubi i Basketbollit “Vllaznia”, pasi ka analizuar me përgjegjësi lojërat e dobëta dhe rezultatet negative të arritura së fundmi, njofton se ka ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin me trajnerin malazez, Nikola Milatoviç”, – bën të ditur njoftimi në fjalë, që më tej vijon: “Ekipi në vazhdimësi do të drejtohet nga zëvendëstrajneri Ervin Bërdica. Klubi i Basketbollit “Vllaznia” falënderon trajnerin Milatoviç për kontributin e dhënë!” 58-vjeçari i lindur në Podgoricë të Malit të Zi mori drejtimin e Vllaznisë së koshit të meshkujve në fundin e javës së dytë të muajit gusht dhe e mbyll kështu pas pak më tepër se 4 muajsh aventurën me kuqeblutë.
Sezonin e shkuar, Milatoviç e udhëhoqi Teutën drejt triumfit në Kupë dhe në kampionat, por ardhja e tij tek Vllaznia nuk ka rezultuar një sukses, teksa shkodranët kanë lundruar midis luhatjeve të mëdha në rezultate. Kështu, në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, shkodranët mbajnë vendin e 3-të në renditje, pas 6 javësh, duke grumbulluar 10 pikë pas 4 fitoresh dhe dy humbjesh, ku, për ironi të fatit, kanë shënuar po aq pikë sa kanë pësuar, 500. Ndërkaq, edhe më e zymtë është gjendja në edicionin e parë të plotë të Ligës Unike, aty ku Vllaznia mban vendin e fundit të renditjes, me 7 pikë, pas vetëm një fitoreje dhe plot 5 humbjesh në 6 ndeshjet e luajtura deri më tani.