E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia siguron EvropënBesa një hap larg rënies

TIRANE- Vllaznia ka bërë një hap të sigurt drejt pjesëmarrjes në Europa League, pas fitores 3-1 të arritur sot në fushën e Laçit. Për shkodranët ka qenë një ndeshje ndaj një rivali direkt dhe në fund ata kanë arritur të marrin 3 pikët, duke lënë pas dy ndjekëset, Laçin dhe Tiranën. Takimi ka qenë tepër i çuditshëm, me Laçin që gjeti avantazhin 20 minuta para fundit dhe me Vllazninë që arriti të shënonte tre herë, duke marrë fitoren. Tri pikët e sotme e ngjisin skuadrën e Mirel Josës në kuotën e 50 pikëve, 6 më shumë se Tirana dhe 7 më shumë se Laçi. Ndeshja u bë tepër interesante në minutën e 70-të, kur Hysa gjeti avantazhin për kurbinasit, duke krijuar idenë e një fitoreje për tifozët e shumtë të pranishëm në stadium. Por, pa kaluar as 2 minuta, Vioresin Sinani barazoi shifrat. Kaluan sërish 2 minuta dhe këtë herë ishte talenti Gocaj, që e çoi ndeshjen në 2-1 për Vllazninë. Në minutat shtesë, Ndriçim Shtubina e bëri akoma më të rëndë humbjen e laçianëve, duke realizuar golin e tretë.
Teuta-Besa
Tepër e çuditshme edhe sfida e luajtur në Durrës, mes Teutës dhe Besës. Miqtë nga Kavaja janë mundur 4-2 dhe tashmë e shohin veten shumë pranë rënies nga kategoria. Për çudi, ata kanë kryesuar deri në 2-0 në pjesën e parë, por më pas janë dorëzuar në një mënyrë tejet të habitshme. Sefa dhe Nora realizuan dy herë për Besën në minutat 11’ dhe 41’, ndërkohë që durrsakët bënë të pamundurën në pjesën e dytë. Pepa ishte heroi i tyre, me një tripletë, ndërsa goli tjetër mban firmën e Frashërit. Me këtë rezultat, Teuta ka dalë nga zona e rënies, duke shkuar në atë të plejofit, ndërkohë që Besa duket më e rrezikuar se kurrë.
Kastrioti-Bylis
Në një ndeshje shkelmash dhe tepër të luftuar, Kastrioti ka mundur të marrë 3 pikët në ndeshjen e sotme përballë rivalëve direktë të Bylisit. Krutanët nuk kanë toleruar aspak, ndërkohë që në fushë ka qenë një betejë shkelmash dhe një lojë shumë e fortë. Kastrioti gjeti rrugën e avantazhit në minutën e 23-të me anë të Inkonga, ndërsa 14 minuta më pas sulmuesi Abazaj barazoi shifrat, duke i çuar skuadrat me këtë rezultat në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë ka qenë Hoxha ai që realizoi golin e fitores për krutanët, ndërkohë që minutat e mbetura kanë qenë të mbushura me tension dhe me faulla të rëndë nga të dyja skuadrat. Kastritoi megjithatë mori 3 pikë të arta në betejën për qëndrimin në Superligë. Me fitoren e sotme, krutanët kanë dalë nga zona e ftohtë dhe tashmë renditen të tetët.

SUPERLIGA
Shkumbini-Flamurtari 2-1
Dinamo-Skënderbeu 2-3
Tirana-Elbasani 6-1
Sot
Laçi-Vllaznia 1-3
Kastrioti-Bylis 2-1
Teuta-Besa 4-2
RENDITJA
Skënderbeu 61
Flamurtari 59
Vllaznia 50
Tirana 44
Laçi 43
Dinamo 37
Shkumbini 35
Kastrioti 33
Teuta 32
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›