E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, vjen “Deda”, trajneri i trofeveDervish Haxhiosmanoviçi është i vetmi trajner i huaj që ka fituar kampionat e kupë. Malaziazi është tekniku i pestë joshqiptar që ulet në bankinë këtë sezon

8 mars 2008. Java 23, sezoni 2007-2008. Vllaznia-Teuta 1-2. Trajneri Mirel Josa shkarkohet nga drejtimi i skuadrës shkodrane. 1 mars 2009. Java 22, sezoni 2008-2009. Teuta-Vllaznia 4-0. Tekniku Agim Canaj jep dorëheqjen nga kuqeblutë.

Më shumë sesa kanë të bëjnë këto data e rezultate mes Vllaznisë e Teutës, kanë lidhje me një emër të përveçëm e një rekordmen unik në Shqipëri, përsa i përket trajnerëve të huaj: Dervish Haxhiosmanoviç.

Fati e solli që malaziasi në të dyja rastet të jetë trajneri pasues në stolin e klubit më të vjetër në Shqipëri, e që ulet në bankinën shkodrane për herë të pestë, duke filluar nga sezoni 2000-2001. 

Dervish Haxhiosmanoviç, së bashku edhe me gjermanin e pafat Ulrih Shulse (11 ndeshje me Vllazninë në sezonin 2006-2007), përbëjnë dyshen historike të huaj në bankinën shkodrane në 90 vitet kalendarike të skuadrës që solli futbollin në Shqipëri.

“Deda” është trajneri i dytë sezonal i Vllaznisë, duke pasuar pikërisht Agim Canajn, njeriun që e zëvendësoi Haxhiosmanoviçin, edhe pse malaziasi i kishte dhënë klubit të presidentit Valter Fushaj, trofeun e 6-të në Kupën e Shqipërisë, atë të edicionit 2007-2008, të 56-in e këtij kompeticioni të rëndësishëm, duke fituar 2-0 kundër Tiranës, rivales së madhe të kuqebluve edhe në këtë edicion.

Haxhiosmanoviç, i cili në fillim të këtij sezoni drejtoi Kastriotin e Kategorisë së Parë, është trajneri i pestë i huaj që drejton një skuadër shqiptare gjatë këtij sezoni (2008-2009), duke marrë në konsideratë jo vetëm boshnjako-serbin e Apolonisë, Esad Karishik (drejton ende), por dhe tre kroatët e dorëhequr: Zlatko Daliç (Dinamo), Slavko Kovaçiç (Flamurtari) e Blaz Slishkoviç (Tirana), ky i fundit me kombësi boshnjako-kroate. Tre kroatët dështuan, ndërsa serbit Karishik, i duhet të luftojë për mbijetesë. Vetëm “Deda” ka luksin të luftojë për titullin kampion. Dhe e ka bërë këtë, tetë vjet më parë.

Malaziasi vlerësohet si një hero në Shkodër, pasi i punësuar nga presidenti i ndjerë Myftar Çela, i ka dhënë shkodranëve titullin e fundit të tyre, të 9-in historik, të fituar pas një dueli të fortë me Tiranën në finishin e kampionatit të 2000-2001, e që përkon me kampionatin e 62-të Kombëtar të Kategorisë Superiore.

Në fakt, Dervish Haxhiosmanoviç, një ish-trajner edhe i modestëve të Erzenit të Shijakut, është më i suksesshmi nga 17 trajnerët e huaj që kanë drejtuar të paktën një skuadër të Superligës shqiptare, kur së paku në futbollin shqiptar gjithmonë në rritje nga viti 1997 e kanë drejtuar teknikë nga tetë kombësi të ndryshme, nga i pari, argjentinasi Mario Kempes e deri te i fundit, malaziasi Dervish Haxhiomanoviç.

Vllaznia “virtualisht” është në vendin e parë, me pikë të barabarta me Tiranën (nga 41), kur ka mbetur për t’u luajtur akti i plotë i fazës së tretë (11 ndeshje), me një “finale” që përfundon në “Qemal Stafa”, më 23 maj 2009.

“Plakushi Dedë” ka përballë (të paktën deri tani) një djalosh si Agustin Kola, i cili është në aventurën e tij të parë si trajner i një legjende si Tirana, 23-herë kampione dhe rekordmene absolute e Shqipërisë. Gara është e bukur. Premton spektakël. Nga njëra anë dinaku Haxhiosmanoviç, nga ana tjetër impulsivi Kola, por që në krah ka “mentorin” italian Mauro Bençivenga. Një sfidë trishkollash: shqiptaro-italiane-malazeze.

Do të jetë Vllaznia, ajo që do të fitojë titullin e 10-të, apo Tirana të 24-in? Starti është i njëjtë, por fituesi do të njihet pas përfundimit të 90 minutave të javës së 33-të. Kokë më kokë. Më 23 maj 2009. Por, më parë duhet kaluar me sukses edhe Dinamo. Vllaznia i ka në dorë blutë. Kupa është ënde në lojë...

Si kanë lëvizur bankinat, sezoni 2008-2009

Skuadra      Trajneri 1         Kombësia         Trajneri 2     Kombësia
Tirana    B.Slishkoviç     Boshnjako-kroate    A.Kola    Shqiptare
Dinamo    Z.Daliç        Kroate        Sh.Muça    Shqiptare
Flamurtari    S.Kovaçiç         Kroate        E.Liçaj*    Shqiptare
Apolonia    G.Haxhiu        Shqiptare        E.Karishik    Boshnjako-serbe
Vllaznia    A.Canaj        Shqiptare        D.Haxhiosmanoviç Malazeze

* Edmond Liçaj është zëvendësuar te Flamurtari me Eqerem Memushin

TRAJNERËT E HUAJ NË SHQIPËRI

1.Mario Kempes, Argjentinë (Lushnja)
2.Miklos Temesvari, Hungari (Tirana)
3.Nikolai Arabov, Bullgari (Partizani, Flamurtari, Naftëtari)
4.Dervish Haxhiosmanoviç, Mali i Zi (Vllaznia 5 herë, Erzeni)
5.Ticiano Gori, Itali (Erzeni, Partizani)
6.Enver Haxhiabdiç, Bosnjë (Tirana)
7.Aurel Tikleanu, Rumani (Dinamo, Lushnja)
8.Pedro Pablo Pasculi, Argjentinë (Dinamo, 2 herë)
9.Ramon Cabrero, Argjentinë (Dinamo)
10.Luka Bonaçiç, Kroaci (Dinamo, 2 herë)
11.Ivan Kataliniç, Kroaci (Dinamo)
12.Leonardo Menikini, Itali (Tirana)
13.Ulrih Shulse, Gjermani (Vllaznia)
14.Silviu Dumitresku (Apolonia)
15.Slavko Kovaçiç, Kroaci (Flamurtari)
16.Zllatko Daliç, Kroaci (Dinamo)
17.Bllaz Slishkoviç, Bosnjë-Kroaci (Tirana)
18.Esad Karishik, Bosnjë-Serbi (Apolonia)
19.Marselo Havier Zuleta, Argjentinë (Dinamo)

19
Janë trajnerët e huaj që kanë drejtuar në Shqipëri: 17 trajnerë kanë drejtuar në kampionat dhe 2 të tjerë (Kabrero e Zuleta) vetëm në kompeticionet ndërkombëtare të UEFA-s

8
Janë klubet që kanë marrë të huaj: Tirana 4 herë, Partizani 2 herë, Vllaznia 6 herë, Lushnja 2 herë, Erzeni 2 herë, Dinamo 7 herë, Apolonia 2 herë, Besa 1 herë, Erzeni 1 herë)

Bankinat e "minuara", vetem Deda i mbijetuar

Bankinat e “minuara” shqiptare kanë parë hungarezë (Miklosh Temeshvari, Tirana), boshnjakë (Enver Haxhiabdiç, Tirana), boshnjako-kroatë (Blaz Slishkoviç, Tirana) italianë (Leonardo Menikini, Tirana; Tiziano Gori, Erzeni, Partizani), bullgarë (Nikolai Arabov, Partizani, Flamurtari), kroatë (Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Zlatko Daliç, të tre te Dinamo; Slavko Kovaçiç, Flamurtari), rumunë (Aurel Cikleanu, Dinamo; Silviu Dumitresku, Apolonia, Besa), boshjanko-serbë (Esad Karishik, Apolonia), gjermanë (Ulrih Shulse, Vllaznia), argjentinas (Mario Kempes, Lushnja; Pedro Pablo Paskuli, Dinamo), pa përmendur dy argjentinas të ulur te Dinamo vetëm për ndeshjet ndërkombëtare: Ramon Kabreron në Kupën Intertoto (2006-2007) e Marselo Havier Zuleta në Ligën e Kampioneve (2008-2009). Të gjithë këta, me përjashtim të Cikleanut (Superkupë), Daliç (Superkupë) e Haxhiabdiçit (kupën e gazetës “Sport Ekspres”) kanë dështuar, apo i kanë detyruar të dështojnë pa e përfunduar kurrë një sezon të plotë, edhe pse kanë ardhur nga shkolla me histori të madhe në arenën ndërkombëtare, të paktën më të mëdha se ajo shqiptare. Ja vlen të përmendësh një përjashtim: Mario Kempes u largua nga trazirat e vitit të mbrapshtë 1997.

Teknikët fitues

Me përjashtim të malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç, që arriti të fitonte titullin kampion në sezonin 2000-2001 e Kupën e Shqipërisë (2007-2008), rumunit të Dinamos, Aurel Cikleanu në fitimin e Kupës në sezonin 2002-2003 dhe kroatit të Dinamos, Zlatko Daliç, fitues i Supërkupës 2008,  të gjithë të tjerët kanë dështuar.

E Marte, 03 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›