E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia zhyt Tiranën në krizë

Edhe këtë javë fituan ekipet e fundit të tabelës. Flamurtari mund Besën në Kavajë, Shkumbini mposht Teutën Kuqeblutë fitojnë 1-2 në kryeqytet dhe “fluturojnë” në ngjitje

Vllaznia nënshtron Tiranën në kryeqytet dhe zhyt bardheblutë në një krizë, e cila duket se nuk do të kalohet lehtë. Skuadra e drejtuar nga lojtari-trajner Devis Mukaj nuk po mundet të gjejë një ekuilibër dhe ka humbur edhe vendin e tretë në tabelë, duke rrezikuar çdo ambicie për të luajtur në Europë. Ndërsa shkodranët me këtë trepikësh fluturojnë në ngjitje në tabelën e renditjes.

Vllaznia mposhti 2-1 Tiranën në “Selman Stërmasi”, duke çuar tri pikë të arta në Shkodër në humbjen e 10 sezonale të kampionëve në fuqi, të cilët, nga ana e tyre, pësuan disfatën e tretë rresht në Superligë. Mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka, shënoi me penallti në minutën e 13 dhe po me një gol nga pika e bardhë barazoi Blaze Rajoviç për Vllazninë në minutën e 25. Golin e fitores për Vllazninë e Edi Martinit e realizoi sulmuesi boshnjak Sead Haxhibuliç pesë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, që ngjiti skuadrën shkodrane në vendin e 6 me 33 pikë dhe rrëzoi Tiranën në vendin e katërt. Tirana ndodhet në një krizë rezultatesh dhe pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë duket se rrezikon edhe një vend në Ligën e Europës. Për Vllazninë kjo ishte fitorja e 70 në 155 ndeshje historike me Tiranën, që nga ana e saj ka 69 fitore (36 barazime), por dhe e dyta rresht në kryeqytet, pas asaj 1-0 në fazën e dytë. Migen Memelli ishte heroi i një fitoreje me shumë vlerë të Flamurtarit ndaj Besës (2-1) në Kavajë, që e bën edhe njëherë tjetër shumë intriguese pjesën e poshtme të renditjes. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar realizoi një eurogol nga rreth 40 metra, kur lëshoi një “raketë të kompjuterizuar” në minutën e 22, përpara se golashënuesi më i mirë i Besës, Daniel Xhafaj, të barazonte shifrat në minutën e 40. Në minutën e 79, Memelli, tashmë në kuotën e 7 golave, realizoi golin “trepikësh” për Flamurtarin, për të cilin ish-sulmuesi i Tiranës luan që nga java e 18. Për Besën kjo ishte humbja e dytë sezonale me Flamurtarin, pas asaj 3-0 në fazën e dytë (një takim i përsëritur). Shkumbini mposhti 1-0 Teutën në javën e 25 të Kategorisë Superiore, falë një goli të realizuar me penallti nga Endri Bakiu në minutën e 41. Sulmuesi i klubit peqinas po shndërrohet kështu në një lojtar vendimtar në ndeshjet e fundit, nisur edhe nga fakti se ishte Bakiu ai që eliminoi Dinamon në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Shkumbini regjistroi fitoren e 10 sezonale (5 barazime, 10 humbje) dhe të gjitha të arritura në Peqin (0 fitore në transfertë, 3 barazime dhe 9 humbje). Pas javës së 25, Shkumbini ndodhet në vendin e 5 me 35 pikë, 4 pikë më shumë se Teuta e vendit të 8 (31 pikë). Teuta, nga ana e saj, po kalon një moment të keq, pasi humbja me Shkumbinin ishte e dyta rresht pas asaj me Gramozin në Durrës. Kurioziteti: në 41 ndeshje historike midis dy skuadrave, 17 fitore i përkasin Shkumbinit dhe 17 fitore Teutës, si dhe 7 barazime.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›