E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, vizitë zyrtare në Kroaci

Kryediplomati

Pas Serbisë në Kroaci. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, do të mbajë axhendën diplomatike të përqendruar në rajonin e Ballkanit, ku Shqipëria po synon një rol të ri. Me ftesë të homologut të tij, Gordan Jandrokoviç, numri dy i qeverisë shqiptare do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Zagreb, e cila parashikon takime me përfaqësuesit kryesorë politike, duke nisur nga Presidenti Ivo Josipovic, kreun e Parlamentit, Luka Bebic, Kryeministren Jadranka Kosor, si dhe homologun e ministrit shqiptar, Jandrokoviç. Sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme, në vëmendje të kësaj vizite do të jetë liberalizimi i vizave i premtuar për t’u realizuar nga pala kroate, por që ende nuk ka hyrë në fuqi. Bashkëpunimi dypalësh, ku përfshihet edhe problematika e integrimit në Bashkimin Europian dhe koordinimi i nevojshëm mes dy anëtarëve të NATO-s, janë disa nga pikat e tjera që do të mbahen në vëmendje të takimeve të shumta që parashikon aktiviteti diplomatik i Metës. Me rëndësi është karakteri i zgjeruar protokollar i vizitës e cila përfshin edhe Presidentin kroat, ç’ka përcjell mesazhe rreth marrëdhënieve dypalëshe, por edhe marrëveshjeve të mundshme që mund të nënshkruhen.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›