E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora kryeqyteti historik dhe i mesazheve të bashkim

Bashkimi i të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, është kryefjala e shekullit të pavarësisë së Shqipërisë. Kështu u tha sot në Vlorë gjatë manifestimit të shënimit të 28 nëntorit, ditës kur para 100 vjetësh u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Para mijëra shqiptarësh nga të gjitha viset, ku jetojnë shqiptarët, personaliteteve më të larta të Shqipërisë, presidenti Bujar Nishani, kryeministrit, Sali Berisha, kryparlamentares, Jozefina Topalli, homologeve të tyre nga Kosova dhe korit diplomatik, ka folur presidenti Nishani, i cili ditën e shpalljes së pavarësisë dhe angazhimin e madh të burrave të shumtë, e ka vlerësuar si një nga datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

“ Sot më shumë se kurrë, ne po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-tës. Me respekt, me mirënjohje të thellë, me kurajo për të pranuar çdo kontribut të çmuar të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur mbrritjen e ditës së madhe, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë që na falën dinjitet kombëtar dhe krenarinë e të qenurit shqiptar ”, ka thënë Nishani.

Ky angazhim i madh, sipas tij, reflekton përpjekje të vazhdueshme edhe sot, për çuar përpara perspektivën e kombit dhe shtetit shqiptar. Megjithatë në këtë rrugë, ka thënë ai, shqiptarët kanë gjëra të pa ndashme, siç është simboli i kombit, flamuri shqiptar.

“Sot ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorën e vitit të 1912-tës. Si krijesa të zjarrta ballkanike, energjike dhe shpërthyese. Ne shqiptarët dhe flamuri ynë nuk mund të ekzistojnë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë dhe flamurin tonë. Si të tillë ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pa ndashëm si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, si toka dhe qielli, trupi dhe shpirti, me flamurin jemi të gjithë së bashku”, ka thënë, ndër të tjera, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Masës së madhe të shqiptarëve të pranishëm në Sheshin “Pavarësia”, i është drejtuar edhe kryebashkiaku i qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjilan. Ai ka bërë thirrje që në këtë 100 vjetor të shtetit të mbisundojë te gjithsecili, posaçërisht te klasa politike, motoja e bashkimit në segmente të shumta në mënyrë që ky brez të ketë çfarë t’u lë pas gjeneratave të reja, të cilat do t’i gëzohen përvjetorëve të tjerë të pavarësisë.

Sipas tij, kryefjalë e këtij 100 vjetori, e këtij shekulli të parë të pavarësisë, është bërë bashkimi i kombit.

Gjika ka falënderuar edhe të gjitha ata shqiptarë të cilët, nga vise të largëta kanë mësyer Vlorën, në këmbë e kuaj, duke përcjell kështu simbolikën e respektit për gjithë ata burra që 100 vjet më parë, ishin nis drejt Vlorës.

“U nisën nga të katër anët e dheut shqiptar me çdo mjet dhe mundësi. Me kuaj si Isa Boletini i pavdekshëm por edhe në këmbë me një marshim emblematik drejt Vlorës, kryeqytetit historik të shqiptarëve”, ka thënë Gjika.

Pas fjalëve, festa ka vazhduar me program të pasur artistik të grupeve të shumta, të cila që nga oret e mbrëmjes së 27 nëntorit dhe deri sonte vonë po vazhdojnë me programet e tyre. /Kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›