Armët e Skenderbeut, zgjojnë interesim të madh të shqiptarëve

Sotirola Hoxha, shefe e sektorit të historisë dhe muzeologjisë, në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, ka thënë për Kosovapress se kjo ekspozitë përmbyllë më së miri aktivitetet e shumta që janë mbajtur në mbarë trojet shqiptare.
Sipas saj, vetëm në dy ditët e fundit kwtë ekspozitë e kanë vizituar rreth 100 mijë shqiptarë, nga anë e këndë trojet shqiptare.
Rëndësia e kësaj ekspozite në këtë njëqindvjetor është nga më të arriturat, spikatuar dhe eventet që do të mbetët e pashlyer në kujtesën e gjithë popullit tonë. Të këtij brezi që pati fatin ta përjetojnë dhe të festojnë me madhështi këtë njëqindvjetor, por edhe një ëndërr shekullore të popullit tonë. Mos të harrojmë se janë gati mbi 500 vjet që këto armë të cilat I ka mbajtur heroi ynë kombëtar Skenderbeu janë jashtë trojeve tona. Janë diku tjetër dhe populli ka pas ëndërr për t’i parë, e mos të them për t’i prekur.
Ndërsa sa përket asaj se a janë me të vërtetë këto armët origjinale të të madhit Skenderbe, Hoxha ka thënë se të gjitha dokumentet dhe faktet flasin se këto armë janë origjinale.
“Nëse e shikojmë gjithë dokumentacionin që e ka shoqëruar këto armë bindemi plotësisht se janë armët e të madhit Skenderbe. Kemi aty të ekspozuar edhe librin e inventarit ku janë të regjistruara këto armë, të cilat e dëshmojnë fare mirë atë. Është edhe numri rendor, është edhe viti kur këto janë bërë pronë e tyre. Shumë interesante është edhe piktura që është e panjohur deri më sot për Skenderbeun. Ne nuk e kemi parë në një profil të tillë, është e vitit 1600, ku tiparet e tij përputhen me të gjitha ato që janë fantazuar”, ka thënë ai.
Vizitorët që ishin të shumtë dhe me padurim pritnin momentin e futjes në ekspozitë janë shprehur të emocionuar dhe të ngazëllyer me armët e Skënderbeut, që sipas tyre çliruan dhe konsoliduan Shqipërinë.
Mehmet Nikollari, njëri nga vizitorët e shumtë tha se Skenderbeu duhet të jetë frymëzim për gjeneratat e reja dhe që të vazhdohet rruga e tij, në mënyrë që të bashkohet i tërë kombi shqiptar.
“Ndjejmë kënaqësi të madhe për heroin tonë kombëtar dhe krenohemi dhe nënë hijen e tij vazhdofshim dhe të konsolidojmë kombin tonë dhe të jemi gjithmonë krenar për të madhin Skenderbe”, ka thënë ai.
Përkrenarja e Skenderbeut peshon rreth 3 kilogramë. Ndërsa dy shpatat që janë të ekspozuara, e që njëra prej tyre është shpat luftimi është e gjatë 88 cm e gjatë dhe peshon 1.3 kg, ndërsa shpata tjetër është 3.2 kg, e cila ka shërbyer për festa dhe ceremoni të ndryshme.
Ndryshe, ekspozita e armëve të Skenderbeut, sipas drejtuesve të Muzeut Kombëtar d otë jetë e hapur deri më 13 janar të vitit të ardhshëm./Kosovapress/