Vlora në pritje të turistëve maqedonas, kujdes i veçantë në rritjen e çmimeve
Ndërkohë që politikanët vlonjatë po rrinë zgjuar për të fituar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, qytetarët vlonjatë, ata që kanë një mundësi për të mbajtur pushues verorë, më së shumti, mendjen e kanë që më 28 qershor të kenë në banesat e tyre sa më shumë maqedonas pushues në këtë sezon veror. Përvoja e vitit të kaluar u ka mbushur mendjen atyre që të përsërisin mbajtjen e këtyre pushuesve për shumë arsye, dy nga më kryesoret janë se paguajnë mirë dhe nuk janë rrëmujaxhinj në banesa.
Ndonëse çmimet vetë vlonjatët i kanë rritur për ti pasur zili. Por kjo kërkesë i ka futur ata në sherr me miq e të njohur në vite nga rrethet e tjera të vendit që i kanë pasur klientë të përhershëm. Në të vërtetë shumë familje vlonjatë këtë stinë kanë me prodhimtari ekonomike për gjithë vitin dhe mezi e presin. Ata gjithmonë kanë pasur klientë që i kanë gjetur përmes njohjeve të ndryshme. Në vite çmimi ka ardhur duke u rritur, duke shkuar deri në një mesatare 200 mijë lekësh në 15 ditë. Edhe çmimi i dhomave nëpër hotele ka ardhur gjithmonë duke u rritur dhe duke u stacionuar këto vitet e fundit nga 70 deri në 100 mijë lekë për dhomë. Mirëpo vjet u dyndën maqedonasit në qytetin bregdetar dhe çmimet njohën rritje në krahasim me tregun vendas por që nuk kishte kundërshtim nga maqedonasit. Ata paguanin nga 30 deri në 50 euro nata në banesa çka ishte një çmim i paparë nga familjet vlonjate. Ndonëse maqedonasit kishin traditë që dhomat nuk i zinin me 15 ditëshe por me ditë, vlonjatët u mësuan me këtë gjë dhe më mirë rrinin edhe dy tre ditë pa maqedonas se sa të merrnin pushues vendas. Kjo dyndje maqedonasish vjet i ka detyruar ata që të bëjnë shumë rregullime nëpër banesat e tyre për të rritur kushtet e jetesës. Vlonjatë që tashmë turizmin e kanë mënyrë të vetme jetese tregojnë se janë të detyruar të vënë nëpër banesa edhe kondicionerë, duke harxhuar sot për të fituar nesër. Ata po i dëbojnë pak e nga pak miqtë e tyre të përhershëm nga rrethe të ndryshme sepse kanë më interes ekonomik me maqedonasit. Janë edhe vetë këta që kanë mbetur të kënaqur nga pritja e vjetshme dhe kanë konfirmuar përsëri pjesëmarrjen e tyre sivjet në qytetin bregdetar. Në verën e shkuar shumë prej tyre deklaronin se po vinin në Vlorë më tepër për të eksperimentuar pritjen dhe në mbarim të pushimeve kanë deklaruar se do të jenë përsëri të pranishëm këtu me pushime. Qysh tani shumë banesa në Vlorë janë prenotuar prej pushuesve maqedonas por edhe ata që nuk kanë gjetur ende, nuk po i prenotojnë banesat me pushues nga rrethet duke qenë në pritje të maqedonasve. Pushues nga Lushnja, Fieri, Berati e Kuçova tregojnë se kanë ardhur si çdo vit për të prenotuar qysh tani dhomat që i kanë pasur prej vitesh si vendstrehim në muajt e verës por nuk po gjejnë atë mirëkuptim si më parë me miqtë e tyre vlonjatë që tashmë presin maqedonasit.