E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdorëzohet në polici autori i vrasjes në plazh për motive pronësie

Gani Kapiti vrau me çifte tre ditë më parë Agron Bodllin 
Është vënë në pranga autori i vrasjes së 39 vjecarit në plazh, për motive pronësie. Gani Kapiti, i cili qëlloi për vdekje Agron Bodllin është vetëdorëzuar në polici pas disa ditë bisedimesh intensive të policisë me familjarët e autorit të krimit, që megjithëse qëndronte i fshehur mbante kontakte me familjarët e tij. Policia e Durrësit konfirmon se Gani Kapiti është vetëdorëzuar në polici rreth orës 24:00 të mbrëmjes së mërkurë, pas  negociatave të vazhdueshme duke i dhënë fund në këtë mënyrë arratisjes. Kapiti akuzohet nga policia e Durrësit për vrasjen me dashje të 39 vjecarit Agron Bodlli, për motive pronësie. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të pasdites të së martës, në lagjen numër 13 Plazh Durrës, ku 50 vjeçari Gani Kapiti, për motive pronësie qëlloi me armë gjahu në kokë shtetasin Agron Bodlli, i cili po punonte për ndërtimin e një objekti së bashku me familjarët e tij. Gani Kapiti, pronar i Bar Restorant Drenica në lagjen 13 në Plazh ishte zhdukur prej tre ditësh, fill pas ngjarjes, ndërkohë që burimet policore kanë bërë të ditur se kishin arritur të përcaktonin zonën ku ai qëndronte i fshehur. Konfliktet e njëpasnjëshme në lidhje me ndërtimin e ri që filloi para dy muajsh ngjitur me Bar Restorant Drenica, arritën kulmin para tre ditësh. Fillimisht midis Gani Kapitit dhe viktimës, Agron Bodlli ka nisur një sherr me fyerje dhe ofendime dhe pak më vonë të dyja palët kanë qëlluar njëra-tjetrën me gurë. Pas kësaj Gani Kapiti ka marrë armën e gjahut shotgun, e cila rezulton se është me leje dhe ka qëlluar në drejtim të Agron Bodllit nga ballkoni i katit të dytë të hotelit të tij. Në lidhje me këtë ngjarje policia e Durrësit ka arrestuar në orët e vona të ditës së martë shtetasin Shpend Turku, 42 vjeç i cili ka marrë armën e gjahut me të cilën Gani Kapiti qëlloi mbi Bodllin dhe e ka fshehur atë në një kanal me ujë rreth 3 km larg vendit të ngjarjes. Në lidhje me situatën që mbizotëronte mes familjes Kapiti dhe asaj Bodlli, mësohet se vëllezërit dhe bashkëshortja e Gani Kapitit e kanë dënuar veprimin e tij, duke bërë të ditur se ka qenë një veprim i pamenduar dhe personal i tij. Më në fund pas negociatave të policisë me familjarët e Kapitit, kanë qenë këta të fundit që kanë këmbëngulur që Kapiti të dorëzohej në polici dhe kështu në mesnatë Gani Kapiti ka shkuar në policinë e Durrësit dhe është vetëdorëzuar. Mbi 50 vjeçarin Kapiti rëndon akuza e veprës penale të Vrasjes me dashje. 39 vjeçari Agron Bodlli, është personi i tretë i mbetur i vrarë për motive pronësie në qytetin bregdetar të Durrësit brenda dy muajve. Në muajin prill të po këtij viti  në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit mbeten të vrarë dy shtetas Shaban Karabakiu, 49 vjeç si dhe Sadik Lazi, 27 vjeç, për motive pronësie. Në maj është 39 vjeçari Bodlli që mbetet i vrarë për të njëjtat motive dhe të gjitha palët e përfshira në këto konflikte kanë në procese gjyqësore me njëri tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›