KQZ përcakton partitë, ku do zgjidhen anëtarët e 3 dhe të 4 të numërimit të votave
Pas një mbledhje në paraditen e djeshme, KQZ u përcaktoi grupimin i partive mes të cilave do të hidhet shorti për anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare te 28 qershorit. Në mbledhjen e djeshme, pas një diskutimi të zgjatur, KQZ vendosi që partitë e shumicës parlamentare që kanë të drejtë të marrin pjesë në shortin për anëtarin e tretë të GNV-së janë Partia Republikane, Partia Agrare Ambjentaliste dhe Partia Aleanca Demokratike.
Kurse anëtari i katërt do të zgjidhe mes forcave politike PDK, PBDNJ, LSI, PDS, PSD. Dokumentacioni shoqëruar për çdo kandidat është shqyrtuar përgjatë gjithë ditës se djeshme dhe vazhdon ende nga drejtoria juridike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga shorti përjashtohen partitë të cilave u ka lindur e drejta të propozojnë kryetarin dhe zëvendëskryetarin e KZAZ-ve, respektivisht partia më e madhe e shumicës parlamentare (PD) dhe partia më e madhe e opozitës parlamentare. Pas vendimit të KQZ-s, për listat e dorëzuara, partitë politike hyjnë zyrtarisht në garë me njëra-tjetrën. Paraprakisht është bërë regjistrimi i të gjitha subjekteve që dëshirojnë të marrin pjesë në garën e 28 qershorit dhe pas 5 ditësh u bë regjistrimi i 4 koalicioneve zgjedhore. Më shume se 30 parti janë grupuar në katër koalicione, dy majtas dhe dy djathtas. Ndërkaq, diskutimi për të paracaktuar vendin e numërimit të votave dhe miratimin e listës shumëemrore të partive u shty për më vonë. Mbledhja u nis me fjalën e kryetarit të KQZ, Arben Ristani, për udhëzimin e administrimit dhe publikimit të informacionit të rezultatit zgjedhor, propozim i cili hasi në shumë diskutime nga anëtarët e KQZ, të cilët parashtruan një sërë probleme teknike në lidhje me këtë fakt. Çdo qendër votimi transmeton menjëherë në KQZ, në mënyrë elektronike rezultatin e votimit, por ligji nuk përcakton se çfarë do të bëhet më tej, si për të dhënë një informacion të saktë dhe të shpejtë, si me formën e paraqitjes të këtij informacioni për publikun. Gjatë diskutimit lindën debate në lidhje me saktësinë dhe kontrollin e këtij informacioni, që u propozua se nga vendin e numërimit të votave, informacioni nuk do të kalojë nëpërmjet internetit, por nëpërmjet një rrjeti të posaçëm për KQZ, pra nëpërmjet një linje intraneti dhe do të vijë direkt në serverin e KQZ-s. Më tej u diskutua mbi vonesat e publikimit të informacionit të rezultatit zgjedhor, dhe për publikimin e fletëve të votimit të papërdorura dhe të pavlefshme. Ndërkaq, tejkalimi i afateve ligjore për dorëzimin e listave zgjedhore u bë objekt debati në mbledhjen e pardjeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste ishte e fundit prej subjekteve politike që dorëzoi listën në zyrën e protokollit të KQZ-se bashkë me dokumentacionin e duhur, duke krijuar kështu një precedent, ashtu si në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Data 18 maj u njoh si data zyrtare ligjore për dorëzimin e listave ne KQZ, por me një tjetër interpretim u vendos qe afati i fundit te ishte data 19 maj, ora 20.00. KQZ-ja, duke hasur në vonesat e dy partive të mëdha, la të hapur mesnatën mes 19 dhe 20 majit, duke shpjeguar se ora 20.00 e mbrëmjes ishte orar administrativ, ndërsa mesnata, orari që parashikon ligji.