E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat bregdetare “VIP”, kush po i ndërton oazet për pushuesit e pasur



Ervin Koçi

Me gjithë dyndjen e madhe dhe shtrirjen e ndërtimeve nëpër zonat turistike të bregdetit, disa skaje të izoluara duket se do të qëndrojnë të paprekura nga turistët e zakonshëm. Bëhet fjalë për disa zona të veçanta të bregdetit shqiptar, të njohura ndryshe si zona “VIP”, në të cilat do të zhvillohet vetëm një “turizëm elitar”. Kjo të paktën, sipas vendimeve të qeverisë, e cila ka përcaktuar tashmë disa zona të izoluara në brigjet më të bukura të Adriatikut dhe Jonit, ndërtimin e disa resorteve turistike (fshatra turistike), por që nuk dihet se të kujt janë apo se për cilët do të ndërtohen. Burime konfidenciale në Ministrinë e Punëve Publike bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se “zona të tilla janë ato që më parë ose janë privatizuar, ose janë në proces privatizimi nga njerëz të njohur të biznesit dhe të politikës”. Po sipas të njëjtave burime mësojmë se bëhet fjalë për “ajkën” e plazheve të bregdetit Adriatik dhe Jon, si Gjiri i Lalzit, Shën Pjetri, Mali Robit, Spilleja, Divjaka, Zvërneci, Orikumi, Qeparoi, Kakomeja e deri në Ksamil, ku do të mbeten zona “të ndaluara” për pushuesit dhe turizmin popullor. Burimet bëjnë të ditur se “tashmë për këto zona janë hartuar planet rregulluese dhe janë kontraktuar edhe firmat, të cilat do të ndërtojnë resorte turistike për pushues VIP-a”. Deri tani është mësuar edhe në rrugë zyrtare se një firmë arabe është ofruar për ndërtimin e një fshati turistik në Gjirin e Lalzit në afërsi të Kepit të Rodonit.

Investimet në Jug

Do të jetë një fond i parashikuar deri në 37 milionë dollarë që do të përbëjë financimin kryesor për krijimin e projekteve të ndërtimit në zonat turistike, duke nisur nga Orikumi, për të përfunduar në Ksamil. Sipas kryeministrit Berisha, këto financime vinin nga qeveria qendrore, pushteti lokal dhe donatorët e huaj si Banka Botërore. Ndërkohë, sipërfaqet ku do të ndërtohen objekte për veprimtari turistike sidomos në zonën e Jugut të vendit, do të zënë një sipërfaqe të përgjithshme afërsisht prej 800 hektarësh. Kjo është dhe sipërfaqja e miratuar në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së për bregdetin jonian. Janë edhe rreth 120 projekte që janë në zbatim sidomos për rrugët kombëtare dhe dytësore të vendit, ndërsa pritet fillimi i të tjera projekteve, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë Shqipërinë. "Buxheti i shtetit ka planifikuar për këtë vit një fond prej rreth 1.6 miliardë lekësh, të cilat kanë si destinacion vetëm përmirësimin e infrastrukturës rrugore", - thanë burime nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Një pjesë e mirë e veprave publike përfundojnë në fund të këtij viti, ku ndër të tjera edhe rruga e Bregut dhe një sërë ndërtimesh.

Plani urbanistik

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë ka vendosur që të gjitha ndërtimet në zonat turistike të bëhen në distancën e 100 metrave larg bregdetit. KRRTRSH, në mbledhjen e tij më të fundit, ka përcaktuar gjithashtu që të kontrollohen të gjitha ndërtimet që janë bërë deri tani në zonat bregdetare, për të parë nëse cenojnë apo jo planin urbanistik. Të gjitha ndërtimet që janë bërë 100 metra në afërsi të bregdetit do t‘u nënshtrohen shkatërrimeve, duke respektuar në këtë mënyrë turizmin, por edhe planin urbanistik të zonave bregdetare. Caktimi i planit të ndërtimeve për Jugun e vendit ka pasur si kryefjalën e saj zonat bregdetare. Kryeministri Berisha ka kërkuar gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së që “pushteti vendor duhet të bëjë brenda pak muajve planet lokale të ndërtimit”. Të gjitha ndërtimet, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet e vendosura nga qeveria për resortet turistike, duhet të bëhen vetëm përtej distancës së 100 metra nga bregu i detit, ndërsa për zonat kodrinore, bashkitë duhet të kenë parasysh të gjitha kriteret, duke i respektuar me rigorozitet ato.

Ligji i legalizimeve, nuk njihen ndërtimet në bregdet

Ligji për legalizimet e zonave informale nuk e parashikon legalizimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare dhe turistike, prandaj vlen që të theksohet se kjo kategori ndërtimesh pranë vijës ujore detare nuk përfshihet në fushën e veprimit të ligjit “Për legalizimet". Agjencia e Legalizimeve kërkon prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje që ndodhen në zonën ranore. Ligji për legalizimet thotë qartë se çdo qytetar ka të drejtë të bëjë legalizimin, por thekson qartë edhe që nuk legalizohen ndërtimet në zonat turistike në zonat bregdetare, kur ndërtimet janë më shumë se 5-6 kate. Aksioni për prishjen e ndërtimeve do të vazhdojë gjatë gjithë kohës në zonat bregdetare, ato ranore, ku ka ndërtime pa leje.

Fshatra turistike “Alla turka” në Shën Pjetër

Arabët janë pa dyshim shumë të përqendruar në turizëm, sidomos në ngritjen e komplekseve rezidenciale në bregdetin tonë të Adriatikut. Ata janë shumë të interesuar për zhvillimin e zonave luksoze turistike, ashtu siç kanë bërë në vende të ndryshme të botës. Më së shumti arabët po blejnë dhe po ndërtojnë në Gjirin e Lalzit dhe në Jug të vendit. Në Gjirin e Lalzit, pranë Kepit të Rodonit, i cili futet në det për rreth 2 km dhe është pjesë e komunës së Ishmit, deri tani janë ngritur tre hotele nga arabët. Rruga Maminas-Gjiri i Lalzit, me një financim prej 10 milionë USD nga qeveria shqiptare, do të përfundojë brenda vitit 2009, duke i dhënë një hov të ri turizmit në këtë zonë.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›