E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 10 filma artistikë në "Java e Filmit Mesdhetar"

VLORË- Dhjetë filma artistikë, prodhim i 5 viteve të fundit, nga vende të pellgut të Mesdheut, mes të cilave Spanja, Franca, Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia dhe Egjipti do të shfaqen nga data 2 gusht në qytetin e Vlorës në kuadër të aktivitetit “Java e Filmit Mesdhetar”.

Ky aktivitetet , i konceptuar i hapur, do të zhvillohet në mjediset përpara Pallatit të Sportit, ku çdo mbrëmje do të shfaqen dy filma, të cilët do të jenë të titruar në shqip.

Filmat do të jenë me metrazh të gjatë, prodhim i 5 viteve të fundit dhe trajtojnë tema nga jeta e njerëzve të thjeshtë, e paqes, e dashurisë, traditat dhe historia e vendeve respektive.

Gjatë ditëve të këtij aktiviteti personalitete dhe emra të njohur të filmit dhe kinematografisë shqiptare, mes të cilëve Tinka Kurti, Reshat Arbana, Josif Papagjoni, bashkëshortët Xhuvani, Artan Minarolli, Arben Lami, do të jenë të ftuar dhe do të komentojnë rreth filmave që do të shfaqen.

Ndërkohë, çdo natë do të pasohet edhe nga elementë të tjerë artistikë, si muzikë “live”, çka do të gjallërojë mjedisin ku do të organizohet aktiviteti.

Gjatë një konference për shtyp që zhvilluan paraditen e sotme, organizatorët e Javës së Filmit Mesdhetar dhanë detaje të tjera rreth këtij aktiviteti, që është i pari i këtij lloji që organizohet në Vlorë.

Istref Dobi, drejtor i projektit, tha se, “qëllimi i aktivitetit është veç argëtimit dhe pasurimit të jetës kultuore artistike në sezonin turistik, por edhe promovimi i arritjeve bashkëkohore në fushën e kinematografisë, veçanërisht në rajonin e Mesdheut, si dhe njohja e kulturës dhe artit të vendeve të këtij pellgu”.

Nga ana e tij, Artisti i Popullit, Albert Verria, president i aktivitetit nënvizoi se, “Java e Filmit Mesdhetar është edhe një homazh për të gjithë ata aktorë shqiptarë që nuk jetojnë më, por që janë në memorien e qytetarëve".

“Java e Filmit Mesdhetar”, organizohet nga Qendra Kulturore e Vlorës dhe financohet nga Bashkia e këtij qyteti në kuadër të sezonit turistik.
(ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›