E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boterori 2014, Shqiperia ne grup me Norvegjine dhe Zvicren

Shqipëria ka evituar të mëdhenjtë e Evropës, në shortin për eliminatoret e kampionatit botëror 2014, që u hodh të shtunën në Brazil.

Ronaldo e Ganso kanë qenë deri diku me fat për kombëtaren shqiptare në shortin e Rio De Zhaneiros, ku ndodheshin figurat më të larta të futbollit Botëror. Ata kanë përzgjedhur emra jo shumë të frikshëm përsa i përket futbollit ndërkombëtar.

Kështu, Norvegjia do të jetë kokë e grupit E, ndërsa ekipet e tjera janë Sllovenia, Zvicra, Qiproja dhe Islanda. Një short në dukje komod, por që në të vërtetë e vendos përfaqësuesen kuqezi në një grup që mund të fshehë shumë të papritura. Përballë janë ekipe me të cilat Shqipëria është ndeshur edhe më parë, ndonëse nuk ka precedentë shumë pozitivë.

Gjithsesi, evitimi i emrave si Gjermania, Italia, Franca, Holanda, Spanja apo Anglia, të lë të shpresosh për një klasifikim më të mirë për eliminatoret e ardhshme.

Përsa i përket shortit, grupi më i vështirë duket grupi I, ku përballë do të jenë Spanja, Franca, Finlanda, Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Ndërkohë Italia do të ndeshet me Danimarkën, Republikën Çeke, Bullgarinë, Armeninë dhe Maltën.

Gjermania ndodhet në grupin D, ku ka përballë Suedinë, Irlandën, Austrinë, Ishujt Farore dhe Kazakistanin. Një grup më i vështirë për Holandën, që do të ndeshet me Turqinë, Hungarinë, Rumaninë, Estoninë dhe Andorrën.

Në grupin F, Portugalia ka Rusinë, Izraelin, Irlandën e Veriut, Azerbaxhanin dhe Luksemburgun.

Në grupin G, Greqia do të ndeshet me Sllovakinë, Bosnjën, Lituaninë, Letoninë dhe Lihtenshtejnin. Ndërsa në grupin H ndodhen Anglia, Mali i Zi, Ukraina, Polonia, Moldavia dhe San Marino.

Nga zona europiane kualifikohen në Botëror 13 skuadra, 9 më të mirat e grupeve shkojnë direkt, ndërsa 8 të dytat më të mira në plejof për 4 vende.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›