Vlorë- Kontroll ndaj parkimeve të gabuara për të liruar hapësirat publike

Kontrollet për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës dhe në zonat turistike kanë vijuar pa ndërprerje. Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë (DVP Vlorë) dhe Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar veprimet për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që parkojnë gabim, duke shkaktuar probleme në lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve të tjera. Fokus i veçantë i është dhënë zonave me fluks të lartë si “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare, si dhe akseve të tjera të ngarkuara nga sezoni turistik.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë vendosur qindra masa administrative ndaj drejtuesve që kishin zënë trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorë. Janë larguar me karrotrec dhjetëra automjete që pengonin qarkullimin në këto zona.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë me qëllim garantimin e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë për automjetet dhe qytetarët.
Policia i bën një apel të fortë drejtuesve të automjeteve, duke theksuar se parkimi i dyfishtë nuk do të ndëshkohet vetëm administrativisht, por edhe penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal. Autoritetet kërkojnë respektimin e rregullave të qarkullimit, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të ndëshkohet dhe mjeti do të tërhiqet me karrotrec.
/rtsh.al/