Qeveria miraton kushtet e negocimit për shoqërinë shtetërore “KAYO” Sh.A. për prodhimi dhe tregtimin e municioneve

Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, ka miratuar të enjten një vendim që përcakton kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” Sh.A. me shoqëri private.
Qëllimi është krijimi i një shoqërie aksionare të përbashkët (joint venture) për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm në Shqipëri.
Vendimi detajon disa kushte thelbësore që “KAYO” Sh.A. duhet të sigurojë gjatë procesit të negocimit e cila do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët.
“KAYO” Sh.A. do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme në masën jo më pak se 20,000 m², të cilat do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil, pa të drejtë tjetërsimi.
Gjatë procesit të negocimit, “KAYO” Sh.A. duhet të sigurojë nga subjekti privat partner minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të 3 vjetëve, si dhe punësimin e jo më pak se 80 punonjësve në harkun kohor të 3 vjetëve.
“KAYO” Sh.A. duhet të sigurojë nga subjekti privat partner ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë.
Objekti i aktivitetit të shoqërisë së re tregtare duhet të përfshijë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municione për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
Minimalisht 30% të këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë së re do të emërohen nga “KAYO” Sh.A.
Statuti i shoqërisë së re do të përmbajë dispozitat për të drejtën e vetos që gëzon shoqëria “KAYO” Sh.A, kurse siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky hap strategjik pritet të forcojë kapacitetet prodhuese dhe tregtare të Shqipërisë në fushën e industrisë ushtarake, duke bashkuar burimet shtetërore me ekspertizën dhe investimet e sektorit privat.
/rtsh.al/