E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 2 peshkatarë të zhdukurnë det, 2 helikopterë në kërkime

Të tjera rreth shkrimit VIDEO/Nëna: Ju lutem na ndihmoni t'i shpëtojmë Drejtori i policisë kufitare: Moti i keq pengon nga ajri VLORE-  Dy peshkatarë rezultojnë të zhdukur në det të hapur që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm. Kërkimet kanë nisur pas orës 06: 30 kur pranë sallës Operative në Drejtorinë e Policisë Kufitare të qytetit bregdetar, mbërriti një telefonatë nga peshkatarët në mes të detit. Ata  kërkonin ndihmë pasi gomonia e vogël me të cilën kishin dalë për peshkim ishte çarë dhe kishte futur ujë. Pas 7 orësh nga apeli i fundit për ndihmë i  25 vjeçarëve dhe apelit për ndihmë të familjarëve në Tv A1 REPORT! 2 helikopterë janë nisur nga Tirana dhe po marrin pjesë në operacionin e kërkim shpëtimit që po përqëndrohet aktualisht nga derdhja e Vjosës në veri të Sazanit. Ministria e Mbrojtjes deklaroi në orën 14:00 se operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në të gjithë hapësirën e Gjirit të Vlorës.

Fillimisht kërkimet nisën me 4 mjete lundruese nga rojet bregdetare dhe Shërbimet e Guardia di Finanza në afërsi të Zvërnecit në Vlorë, në zonën ku njoftuan se ndodheshin peshkatarët.  Në mëngjes u informua se  sinjali kishte mbërritur nga veriperendimi në afërsi të Zvërnecit në drejtim me Vjosën.

Sipas policisë së Vlorës, sinjali për ndihmë është dhënë nga një telefonatë e bërë nga Fatmir Ismaili, vjec 25 i cili kishte dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, së bashku me një shokun e tij Gëzim Bashllari.

Pas verifikimeve të deritanishme, policia nuk ka ende asnjë detaj për dy peshkatarët, ndërsa moti i keq me erë të fortë dhe dallgë me forcë 5-6 ballë  kanë vështirësuar punën për gjetjen e tyre. Vijojnë kërkimet intensive për gjetjen dhe shpëtimin e këtyre personave.

MINISTRIA E MBROJTJES: NISET DHE NJE HELIKOPTER I DYTE
Ora 14: 20 "Një helikopter tjetër në operacionin e kërkim-shpëtimit në Gjirin e Vlorës Në orën 14 20 nga Baza Ajrore e Helikopterëve në Farkë është nisur drejt Gjirit të Vlorës helikopteri AB- 205 me dy pilotë në bord i Forcave të Ajrore. Kështu, aktualisht në operacionin për gjetjen e dy peshkatarëve të humbur në Gjirin e Vlorës nga Forcat e Armatosuara janë përfshirë:
- Anija “ARCH ANGEL” A-05 e Rojes Bregdetare të Forcave Detare, - Helikopteri “COUGER” dhe helikopteri AB- 205 I Forcave Ajrore. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në të gjithë hapësirën e Gjirit të Vlorës."

MINISTRIA E MBROJTJES: OPERACIONI I KERKIMIT NE TE GJITHE GJIRIN E VLORES
Ora 14:18 Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një njoftimi për shtyp deklaron se forcat e armatosura angazhohen në operacionin e kërkim shpëtimit të dy peshkatarëve në afërsi të Zvërnecit, Vlorë.
"Sot në orën 07.00 një anije “ARCH ANGEL” A-05 e Rojes Bregdetare të Forcave Detare është angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit të dy peshkatarëve që kanë humbur gjurmët në det në afërsi të Zvërnecit në Vlorë. Anija A-05 me një ekuipazh prej katër vetë i është bashkuar mjeteve dhe forcave të Policisë Kufitare dhe forcave të tjera të që janë angazhuar në këtë operacion.
Në orën 12.55, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, në operacion u përfshi edhe helikopteri “COUGER” i Forcës Ajrore. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në të gjithë hapësirën e Gjirit të Vlorës, në afërsi të Sazanit dhe Karaburunit, por deri tani ende nuk ka ndonjë gjurmë të peshkatarëve të humbur."

ALI ELEZI: HELIKOPTERI PO BEN KERKIME
Ora 13: 56 “Helikopteri ka nisur kërkimet. Presim informacione nga ajri që të përqëndrohen mjetet e vogla, pasi nuk mudn të dalin në det, pasi situata detare po përkeqësohet dhe nuk lejon daljen në det të mjeteve të vogla. Disa herë janë bërë telefonata, por as shërbimet në det as ato në tokë nuk po arrijnë të mbijetojnë.”- tha Ali Elezi, shefi i operacionit të kërkim shpëtimit në një prononcim telefonik për të TV A1 REPORT për gazetarn Andi Kapxhiu
Ali Elezi u shpreh se nëse janë në zonën ku është përkeqësuar situata peshkatarët rrezikohen shumë, pasi dallgët janë të larta.
Elezi tregoi dhe çfarë kanë thënë peshkatarët “Ato kanë pasur një gomone të vogël, dhe informacioni i parë ka qenë se është çarë dhe është futur ujë, por sesa ujë mund të futet dhe sa kohë don të mbytet s’na kanë thënë.” Kërkimet bëhen në “veri të Sazanit deri në grykëderdhjen e lumit Vjosë.”
I pyetur përse kërkimet me helikopter nisën kaq vonë ai shpjegoi “Informacioni që na u dha fillimisht nga peshkatarët, tregonte se operacioni i shpëtimit ishte i realizueshëm dhe mjetet tona ishin në gjendje ti shpëtonin. Por një traget i linjës që lundroi andej nuk i ka parë, çka tregon se për shkak të detit të trazuar ata mund të kenë dhënë dhe koordinata të gabuara të vendndodhjes.”

ALI ELEZI PER TV A1 REPORT: PER PAK MINUTA NISET HELIKOPTERI, DETI PO PERKEQESOHET
12: 39 Ali Elezi, Shefi i koordinimit të operacionit kërkim shpëtimi në një prononcim telefonik për TV A1 REPORT tha se operacioni vazhdon me 4 mjete. Ai konfirmon se brenda pak minutash pritet të niset një helikopter për operacionin e kërkim shpëtimit ndërkohë që deti përkeqësohet dhe mjetet e Guardia di Financa kanë kërkuar që të kthehen në breg.

"Informacioni mbërriti në orën 06: 50. U angazhuan mjete të policisë kufitare, rojes bregdetare, Guardia di Financa. Informaicioni për vendndodhjen ka lëvizuar afër derdhjes së Vjosës, më pas ishullit Sazani ndërsa kërkimi është përqëndruar aktualisht nga derdhja e Vjosës në veri të Sazanit. Është provuar të komunikojnë me telefon me dy peshkatarët por është e pamundur, mesaduket ndodhen në njëzonë ku nuk ka valë telefonike. Rojet bregdetare thonë se një helikopter po shkon në ndihmë. Ndërkohë që situata në det po përkeqësohet dhe rojet bergdetare kanë kërkuar t’i afrohen bregut.”

NENA E NJERIT PREJ PESHKATAREVE TE ZHDUKUR: JU LUTEM SILLNI NJE NJE HELIKOPTER
Ora 12: 39 Në një prononcim telefonik për A1 REPORT, Vjoleta Bashllari, nëna e Gëzim Bashllarit njërit prej 2 peshkatarëve të zhdukur prej orëve të para të mëngjesit të sotëm bën apel për ndihmë. Me lot në sy dhe zëri që i dridhet Vjoleta kërkon ndihmën për të shpëtuar djalin e saj, dhe shokun, dy djem 25 vjeçarë.  
“Të lutem ngrini një helikopter, nuk ka shumë det, bëhet fjalë për jetën e dy njerëzve po luftojnë me vdekjen. Në 4 të mëngjesit kemi pasur kontakt telefonik, por nuk ka linjë. Ata kanë sjellë vetëm dy mjete, nuk është kohë e keqe, Anijet nuk i gjejnë dot. Ju lutem na ndihmoni. Janë dy djem nga 25 vjeç . I bëj thirrje ministrit të Mbrojtjes të sjellë një helikopter. Kam që në 05:00 të mëngjesit që qaj për djalin më ndihmoni”

(Nëna e njërit prej peshkatarëve duke bërë apel për A1 REPORT!)

DREJTORI I POLICISE KUFITARE:  MOTI I KEQ PENGON KERKIMET NGA AJRI
Ora 12:00 Selam Tema drejtor i policisë kufitare thotë se Guardia di Financa po kërkojnë në koordinatat që janë dhënë. "Po kërkohet në koordoinatat që janë dhënë. Kontrollet janë bërë në veriperëndim të Sazanit deri në grykëderdhje të lumit Seman. Aktualisht po përpiqet të nisin kërkimet nga ajri por është e pamundur për shkak të motit të keq dhe me erë”-tha Selam Tema në një prononcim telefonik për Tv A1 REPORT!

I VELLAI: TE KERKOHET NGA AJRI
Ora 11:48 Korrespondenti ynë në Vlorë, Armand Xhelili në orën 11: 48 solli në redaksi informacionin e fundit sipas të cilit mendohet se peshkatarët janë gjallë dhe peshkarexha ndodhet në mes të detit. Peshkatarët kanë thënë se rryma po i çon drejt grykëderdhjes së Vjosës. I vëllai i peshkatarit bëri apel pë ndihmë të nisin kërkimet nga ajri pasi "Roja bregdetare nuk i gjet dot pasi deti është me dallgë"

SHEFI I KAPITENERISE: PESHKATARET THANE SE ISHIN PRANE ISHULLIT TE SAZANIT
Ora 10: 00 Shefi i Kapitenerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, tha për ATSH-në se, telefonata është bërë rreth orës 6.30 të mëngjesit të sotëm, në sallën Operative të Policisë Kufitare, përmes së cilës, dy peshkatarët kanë thënë se “ndodhen me një varkë të vogël, në hapsirën detare pranë ishullit të Sazanit, rreth 2 milje në veri të tij”. Mbas kësaj telefonate, Goga pohon se është organizuar një operacion shpëtimi, ku janë përfshirë struktura të Policisë Kufitare, Rojes Bregdetare dhe Kapitenerisë së Portit të Vlorës. “Aktualisht janë dy mjete lundruese në kërkim të tyre, në hapsirën detare mes ishullit të Sazanit dhe grykëderdhjes së lumit “Vjosa”, ndërsa për momentin nuk ka ende gjurmë të tyre, edhe pse është komunikuar disa herë në telefon me ta“, tha Goga, duke bërë të ditur se vazhdon kërkimi intensive për gjetjen dhe shpëtimin e tyre, falë edhe kushteve normale për lundrimin që favorizojnë operacion e shpëtimi

LAJMI PER ZHDUKJEN E PESHKATAREVE
Ora 08: 30 Policia e Vlorës konfirmoi se rreth orës 6: 30 minuta një telefonatë për ndihmë nga veriperëndimi i Sazanit kishter mbërritur në kapitenerinë e portit të Vlorës. Sipas policisë së Vlorës, sinjali për ndihmë është dhënë nga një telefonatë e bërë nga Fatmir Ismaili, vjec 25 i cili kishte dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, së bashku me një shok ende i paidentifikuar.

Pas verifikimeve të deritanishme, policia nuk ka ende asnjë detaj për dy peshkatarët, ndërsa moti I keq me erë të fortë dhe dallgë me forcë 5-6 ballë e kanë vështirësuar punën për gjetjen e tyre.  Vijojnë kërkimet intensive për gjetjen dhe shpëtimin e këtyre personave. Mendohet se rryma ka çuar peshkarexhen në veriperëndim të Sazanit.

 
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›