E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Patozi: PD mban fjalën, refuzoni modelin Rama-Kokëdhima

VLORË- Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, në komunën Shushicë, në rrethin e Vlorës.

Gjatë një takimi të zhvilluar me banorë e kësaj komune, nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëkohësisht kandidat për deputet i kësaj force politike në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, pasi rikujtoi mitingun madhështor të zhvilluar para pak ditësh në çelje të fushatës zgjedhore në Vlorë, ftoi të gjithë banorët të bëhen pjesë e fitores në 23 qershor. “Partia Demokratike është parti e fjalës së mbajtur , prandaj ftoj të gjithë votuesit të rreshtohen me fituesit dhe jo me ata që e kanë humbjen të shkruar në ballë”, theksoi Patozi. Sipas tij, vota për Partinë Demokratike është votë për shtëpinë dhe të ardhmen e gjithësecilit dhe garanci për këtë janë arritjet e deritanishme të qeverisjes demokratike.

"Fryma e demokratëve, entuziazmi, koalicioni i natyrshëm mes të djathtës, arritjet e deritanishme e, mbi të gjitha, lista e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlorës, përbëjnë shtyllat kryesore të fitores në 23 qershor”, argumentoi nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ai tha se demokratët në Vlorë përfaqësohen në këto zgjedhje me vlonjatë, në antitezë me opozitën, e cila ofron modelin Rama-Kokëdhima, model që është provuar nga banorë të zonës së Shushicës, në rrugën e shkatërruar vetëm 3 muaj pas ndërtimit të saj. “Ky model do të refuzohet nga vlonjatët”, shprehu besimin Patozi.

Nga ana e tij, kryetari i degës lokale të PD-së, njëkohësisht kandidat për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit në Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, theksoi se 23 qershori është përcaktuar nga të gjithë si një ditë dhe datë e rëndësishme drejt një mandati të tretë, për të plotësuar kryeprojektin e Partisë Demokratike në këto 23 vjet, Shqipëria në Evropë.

Banorë të zonës, mes të cilëve edhe kryetari i komunës Shushicë, Luli Petani, theksuan në fjalën e tyre se, Partia Demokratike do të jetë fituese në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit.  Drejtuesit e PD-së garantuan se gjatë 4 viteve të ardhshme do të zgjidhen të gjitha problemet që kanë banorët e kësaj zone.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›