E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, bllokohet skafi me 390 kg kanabis sattiva, një në pranga

VLORË- Policia e Vlorës bllokoi një mjet lundrues, tip skaf, në bordin e të cilit u gjet 390 kg lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa, ndërsa arrestoi një person dhe shpalli në kërkim dy të tjerë. Aksioni u zhvillua ditën e dielë, por, rezultatet e tij u publikuan mesditën e të hënës.

Burime zyrtare të Policisë bënë të ditur se "mjeti lundrues, me gjatësi 5 metra, i pajisur me dy motorë, u bllokua në hapësirën detare në bregdetin e fshatit Dhërmi, 50 km në jug të Vlorës, gjatë një aksioni ku u përfshinë mjetet lundruese dhe efektiva të strukturave të Drejtorisë për Kufirin & Migracionin Vlorë dhe Njësisë së Lëvizshme Territoriale Delta-Force”.

Gjithashtu, gjatë këtyre veprimeve, në bregdetin e Dhërmiut, në vendin e emërtuar "Plazhi i Perivolos", ose "Dhromadhes Beach", u gjet dhe u ndalua 20 vjeçari Aleksandro Vasili, nga qyteti i Vlorës, si dhe autovetura e tij.

Policia tha se Vasili është personi që ka lidhje me tentativën e trafikimit të kanabisit, bashkë me dy persona të tjerë, të cilët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›