Vlorë, gjendet i mbytur nënkoloneli i Bunavisë
Vlorë-Një ushtarak në bazën e Bunavisë, me gradën nënkolonel është gjetur i mbytur paraditen e sotme. Ka qenë gomonia e policisë që ka nxjerrë nga deti trupin e pajetë të 45-vjeçarit Besnik Kadëna, prej vitesh ushtarak, oficer zyre në Bunavi. Të afërmit e tij dëshmojnë se kanë qenë probleme të depresionit ato që e kanë çuar 45-vjeçarin drejt një akti të tillë. Mësohet se ai ka tentuar edhe herë të tjera t’i jepte fund jetës, por e ka finalizuar vetëm dje në ujërat e Vlorës.
***
Një telefonatë bërë të vëllait ka vënë në lëvizje familjarët e Kadënës. Të shqetësuar ata kanë njoftuar policinë dhe menjehërë kanë nisur kërkimet. Sipas policisë, mësohet se viktima ka njoftuar më parë vëllanë e tij për vendimin që kishte marrë. Nuk saktësohen qartë motivet që e kanë shtyrë drejt këtij akti, por dyshohet se depresioni dhe problemet në familje janë dy arsyet kryesore. Pista në të cilat është duke hetuar edhe policia, lidhur me këtë ngjarje. Sipas të dhënave, Kadëna para tetë muajsh ka qenë komandant batalioni në Bunavi, në një nga bazat ushtarake më të mëdha në rreth. Fill pas kësaj, i vjen një urdhër transferimi, që e dërgon me punë në Durrës. “Kadëna u transferua në Durrës në një repart këmbësorie, ku edhe shkoi të punonte”,- thonë burimet, që sqarojnë se atje nuk qëndroi për një kohë të gjatë.
Një muaj më parë, ai u dërgua sërish në Vlorë, në Bunavi, por këtë herë jo me detyrën e parë, por si oficer zyre. Të afërm të familjes pranojnë se ai ka kaluar probleme depresioni, por pa dashur të ndalen nëse këto kanë qenë shkak i punës, apo i problemeve familjare. Mësohet se ai ishte baba i dy djemve dhe familjen e ka në Tiranë.
***
Sipas policisë, trupi i pajetë i 45-vjeçarit është gjetur në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë pikës që njihet si moli i naftës. Trupi u nxor në breg nga një gomone e policisë së kufirit dhe menjëherë iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore. Fillimisht nuk u tha asgjë nëse ishte vetëmbytje, apo ndonjë mbytje e qëllimshme. Deri sa më vonë, pas mbledhjes së të gjitha dëshmive nga të njohurit dhe familjarët u arrit në përfundimin se ai i kishte dhënë fund jetës. Fakt, që e përforëcoi dëshmia e të vëllait, për telefonatën sinnjalizuese dhe pohimet për tentative të tjera të ushtarakut. Mësohet se në vitin 1998, një kushëri i viktimës, edhe ai ushtarak i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.
Anila Peçi