E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët marrin në dorë dosjen Hoxha

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet caktoi dje pesëshen gjykuese që do të shqyrtojë dosjen penale për katër të pandehurit e akuzuar për rrëmbimin e biznesmenit nga Kosova, Remzi Hoxha, këtu e 13 vjet më parë. Sipas burimeve zyrtare pranë togave të zeza të kësaj gjykate, mësohet se me hedhjen në short të dosjes me nr.449, ku të pandehur janë katër ish-drejtues të Shërbimit Informativ Kombëtar gjatë viteve 1992-’97, dosja i ka rënë për gjykim pesëshes së kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, ndërsa anëtarë janë Dritan Hallunaj, Gruali Brahimllari, Etleva Deda dhe Nertina Kosova. Pas caktimit të pesëshes gjykuese pritet që në ditët në vazhdim, menjëherë pas marrjes së dosjes në dorëzim të caktohet edhe data e seancës së parë gjyqësore pas 13 viteve të zhdukjes së Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe  kanë rrëmbyer shtetasit Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ndërsa ky i fundit gjeti vdekjen nga torturat e ushtruara ndaj tij nga ish-SHIK-sat. Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, makinë e cila i takonte institucionit të SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje. F.Vezaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›