E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, instalohen kamerat

Vlorë - Tre qendrat e numërimit të votave në qytetin e Vlorës janë pajisur me sistemin e kamerave të vëzhgimit për procesin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Kamerat janë instaluar në 3 qendrat e Komisioneve Zonale të Administrimit te Zgjedhjeve (KZAZ), përkatësisht në mjediset e pallatit të sportit "Flamurtari", në godinat e shkollave të mesme "Halim Xhelo" e "Ali Demi".

Sistemi është instaluar mbi çdo tavolinë të numërimit të votave, ku do të bëhet edhe regjistrimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit, duke i transmetuar ato në kohë reale në monitorët e vendosur përballë vendeve ku do të qëndrojnë vëzhguesit respektivë. Ky proces është realizuar në afatin ligjor jo më vonë se 10 ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve.

Sistemi i kamerave vëzhguese aplikohet për herë të parë për monitorimin e procesit të numërimit të votave në vendin tonë. Funksionimi i tij bazohet në nenet 21 dhe 94 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë".

Për këtë proces është përzgjedhur sistemi i regjistrimit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë në çdo vend numërimi të votave dhe rezultatet përcillen direkt edhe në mjediset e KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›