Vlorë, kërcënojnë me grevë edhe studentët e Letërsisë
VLORË- Ndërkohë që greva e urisë të studentëve të Juridikut në universitetin "Ismail Qemali", ka hyrë në ditën e tretë, të tjerë studentë kanë nisur protestën. Para dyerve të universitetit janë shtuar edhe studentë të degës së Gjuhë-Letërsisë, të cilët kanë nisur reagimin pasi janë gjetur përballë një të papriture mbi vijimësinë e shkollimit të tyre. Studentët që kanë mbaruar vitin e tretë në këtë degë pohojnë se janë paraqitur për tu regjistruar, por janë ndodhur para faktit të kryer, teksa u kanë komunikuar se "kursi i shkollimit për ju ka përfunduar". Sipas studentëve, ata kanë vijuar studimet e deritanishme, duke ju referuar sistemit 3+2, i cili është deklaruar se do të aplikohej në Vlorë. Një vit më parë studentët vijuan me sistemin e vjetër 4-vjeçar, pasi 3+2 nuk u realizua.
Sipas studentëve alternative e lëndëve që u është paraqitur për frekuentimin e vitit të katërt, është një listë me lëndë që i kanë bërë më parë, ose disa të tjera të ciklit të ulët.
Studentët thanë se gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mos informimit, duke cenuar direkt diplomimin e tyre. Me anë të një deklarate ata kanë lënë afat deri ditën e premte, në të kundërt do t'i bashkohen grevës së urisë, së bashku me shokët e tyre që tani janë në ditën e tretë të grevës.
Ndërkohë studentë të juridikut vijojnë të jenë të ngujuar në grevën e urisë. Ata sot janë vizituar nga bluzat e bardha. Mjekët thanë se kanë nisur shqetësimet e para.